Sylejmani: Dikush duhet të japë përgjegjësi për shtegun e atletikës!

Atletika

Sylejmani: Dikush duhet të japë përgjegjësi për shtegun e atletikës!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 29 shtator 2016 Në ora: 16:16
Halil Sylejmani

Shtegu i atletikës në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, i  shqetëson së tepërmi atletët e atletet dhe të gjithë ata që merren me mbretëreshën e sporteve. Sepse shtegu nuk është i rregulluar ashtu si e parashohin rregullat ndërkombëtare (IAAF), por ka gunga të vogla dhe tejet të rrezikshme për të garuar atletët. Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” se dikush duhet të japë përgjegjësi për punimet në shtegun e atletikës dhe sipas tij, ai shteg duhet të hiqet tërësisht deri në bazë për t’u shtruar tjetri dhe sipas rregullave. 

“Bota sot”: Shumë zhurmë, pakënaqësi për shtegun e atletikës në Mitrovicë, pse?

Halil Sylejmani: Jo që është i dëmtuar, por punët qe janë kryer nuk i përkasin profesionalizmit për shtruarjen e shtegut me tartan. Përgjegjësia bie në punëkryesin  dhe punëdhënësin, ose punëmarrësin. Federata është e dënuar në mënyrë indirekte me dëshirë apo pa dëshirë nga punëdhënësi dhe punëkryesi. Ai shteg nuk është pranuar nga komisioni profesional. Fatbardhësisht që është shteg, fatkeqësisht nuk mund të shfrytëzohet për gara vendore, se as që bëhet fjalë për ato ndërkombëtare.

“Bota sot”: A duhet të rinovohet shtegu?

Halil Sylejmani: Jo renovim, por duhet të hiqet përfundimisht deri në bazë dhe të shtrohet sipas rregullave që i përcakton IAAF. Sepse IAAF i përcakton rregullat se si punohet e rregullohet shtegu. Ne jemi të ndërkombëtarizuar dhe nuk jemi në livadhe. Mendoj se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit, me DSK-në, duhet urgjentisht të intervenojnë, se ndryshe atletët tanë duhet të shkojnë në Maqedoni dhe Shqipëri të stërvitin e garojnë.

“Bota sot”: A është shkaktuar dëm i madh?

Halil Sylejmani: Na kanë shkaktuar dëm të hatashëm  si në cilësi dhe në mjete financiare, sepse duhet shkuar jashtë shtetit të stërvitim e garojmë! Shtegu ka qenë i dëmtuar gjatë luftës në Kosovë, mirëpo ministria e sportit ka ndërmarrë një aksion që të rregullohet ai sipas standardeve të IAAF-it, por tani është bërë edhe më keq nga punëkryesi dhe punëdhënësin. Dikush duhet të japë përgjegjësi për shtegun e atletikës në Mitrovicë, i cili është i vetmi në vendin tonë me tartan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat