Sylejmani: Pro reformës ishin 182 delegatë ose 95 për qind

Atletika

Sylejmani: Pro reformës ishin 182 delegatë ose 95 për qind

Nga: Kemajl Goca Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 15:06
Halil Sylejmani gjatë kongresit të IAAF-it

Atletikën e Kosovës e presin ditë edhe më të mira. Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, bëri të ditur se kanë nënshkruar një marrëveshje shumë të mirë me Federatën Europiane për zhvillimin e mbretëreshës së sporteve. “Do të thotë se Federata europiane ka nënshkruar marrëveshjen me 18 federata të vendeve të vogla, ndër to edhe me ne dhe ku pritet të organizohet një garë me 9 qershor të vitit 2018 në Liechtenstein”, tha Sylejmani. Ai tash e disa ditë është në Monaco, ku u zhvillua Kongresi i Federatës së Atletikës Botërore (IAAF). “Ardhja jonë në Monaco është e ditur shumë kohë më parë dhe ka qenë jashtëzakonisht produktive. Presidenti i IAAF-it i zgjedhur vitin e kaluar ka marrë iniciativë që të bëhet Reformimi në atletikë. Ka organizuar ekipe dhe ka propozuar së bashku me federatat në botë dhe janë bërë diskutime në vende të ndryshme, gjithashtu edhe në Federatën Ballkanike, ku kemi diskutuar në Tel Aviv (Izrael), gjithashtu edhe ne Lozanë të Zvicrës. Kështu që ne ishim Monaco në Kongresin special, ku u shqyrtuan gjer e gjatë ndryshimet e bëra në funksionalizimin e reformave në lëmin e atletikës. Pjesëmarrëse në votim ishin 192 kryetar të federatave në botë dhe pro reformës ishin 182 ose 95 për qind, kurse kundër ishin 10 apo 5 për qind të delegatëve. Pra tani nga 1 janari i vitit 2017 do të fuqizohet”, tregon Sylejmani. Përveç numri një i Federatës së Atletikës së Kosovës tregoi se kanë pasur edhe një takim, me disa nga federata për bashkëpunim në të ardhmen në rrafshet e ndryshme. “Kemi mbajtur një takim së bashku me vendet e vogla në zhvillim që të realizojmë me një bashkëpunim, interesat e federatave veç e veç në mënyrë të përbashkët dhe që shpresojmë t’i realizojmë në të ardhmen”, thotë Sylejmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat