Peng i parave

Atletika

Peng i parave

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 10:58
Luiza Gega

Luiza Gega shkroi me germa të arta emrin e saj në historinë e sportit shqiptar në muajin korrik, duke u shpallur nënkampione e Europës në garën e 3000 m/ p. Por vëmendja e shtetit nuk është ende në pritshmëritë e saj. 24 orë përpara nisjes për në Kenia për fazën përgatitore, atletja shqiptare, Luiza Gega, shprehet për “Panorama Sport” se është në pritje të zgjidhjes së ngërçit financiar përtej premtimeve.

“Para pak ditësh zhvillova një takim me presidentin e KOKSH, Viron Bezhani, ku i kërkova mbështetje, pasi e kam të vështirë stërvitjen pa një ndihmë. Përgjigjja ishte se do të më mbështesin, por kjo do të diskutohet kur të mblidhet bordi i KOKSH. Në fakt, vetëm biletat mund të prisja nga një fond që dha ministria për periudhën tetor-dhjetor, të cilat akoma nuk kanë kaluar në llogari.

Megjithatë, nga një takim që pata me drejtorin e Sporteve, m’u premtuan 400 mijë lekë të rinj për mua dhe trajnerin. Por, në momentin që flasim, s’i kemi ende në llogari si gjendje. Gjithsesi, nuk kam kohë të pres sepse e kam shumë të vështirë stërvitjen në Shqipëri. Nga të gjitha institucionet që kanë lidhje me sportin jam në pritje, përfshirë Bashkinë dhe KOKSH.

Për ministrinë mund të them se është çështje e mbyllur, pasi biseduam edhe me sekretarin e federatës. Lekët kanë kaluar në llogarinë e federatës, por edhe aty duhet të mblidhet kryesia. Këtë fond po përpiqet ta nxjerrë federata në bashkëpunim me ministrinë”, tha Gega për gazetën.

Ndërsa konfirmon rikuperimin nga dëmtimi në Lojërat Olimpike, Gega thekson se në fokus të saj në vazhdim do të jetë gara e 3000 m/p. “Po stërvitem për 3000 m me pengesa si garë kryesore, normal do të bëj edhe të tjera. Do të zhvilloj disa gara dimri, më tepër për test se si po shkon stërvitja, sepse 3000 m/p është garë që nuk zhvillohet në salla”. Në fund të prononcimit, Gega zbuloi edhe një detaj, që pas mbylljes së Olimpiadës së Rios ka kryer 6 kontrolle antidoping.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat