Njëmijë atletë rusë përfituan nga dopingu

Atletika

Njëmijë atletë rusë përfituan nga dopingu

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 19:26
ilustrim

Një raport i ri zbulon se më shumë se 1 mijë atletë rusë që konkurronin në Lojërat Olimpike verore, dimërore dhe paraolimpike ishin përfshirë ose kanë përfituar nga një komplot i organizuar për të fshehur testimet pozitive për doping. Raporti u paraqit sot në Londër nga Agjencia Botërore e Antidopingut.

Në një konferencë shtypi, hetuesi i Agjencisë Botërore të Antidopingut, profesori kanadez i së drejtës, Richard McLaren, paraqiti raportin e tij të ri mbi mashtrimet e dopingut të sponsorizuara nga shteti në Rusi, si dhe përpjekjet për mbulimin e tyre, që përfshinin veçanërisht Olimpiadën Dimërore të vitit 2014 në Soçi.

"Ne jemi tani në gjendje jo vetëm të konfirmojnë gjetjet e raportit të parë, por edhe për t’i vënë ato në një fokus më të mprehtë dhe më të qartë. Ne kemi gjetur se numri i atletëve të përfshirë është edhe më i madh, po ashtu edhe përmasat e komplotit dhe të përpjekjeve për mbulimin e tij, përpjekje që fillojnë të paktën në vitin 2011 dhe vazhdojnë pas Lojrave Olimpike të Soçit," tha zoti McLaren.

Gjetjet e reja konfirmojnë pjesën më të madhe të provave të përfshira në raportin e parë të zotit McLaren, që u publikuan në korrik dhe që çuan në kërkesën e Agjencisë Botërore të Antidopingut të kërkojë përjashtimin e Rusisë nga Olimpiket e Rio de Zhaneiros.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e refuzoi kërkesën, por lejoi federatat sportive ndërkombëtare të vendosnin vetë se cilët atletë rusë mund të konkurronin.

Raporti i ri i zotit McLaren do të dorëzohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, i cili ka dy komisione të veçanta që do të shqyrtojnë akuzat.

Komiteti ka thënë se do të ndërmarrë masa të rrepta ndaj çdo atleti apo zyrtari të përfshirë në doping.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat