A është vështirë të stërvitet në temperaturën -10 gradë?

Atletika

A është vështirë të stërvitet në temperaturën -10 gradë?

Nga: Suad Kryeziu Më: 15 dhjetor 2016 Në ora: 17:59
Suad Kryeziu

Debate

Atletët e atletet në disa klube zhvillojnë stërvitjet edhe në kushte të vështira. Në këto ditë të ftohta dimri është shumë e vështirë të stërvitesh nëse nuk i ke kushtet elementare, së paku një palestër sepse është shumë e vështirë në temperatura -10 gradë të stërvitesh me një intensitet shumë të lartë dhe kushtet na pamundësojnë ta mbajnë ritmin e njëjtë, por ne me vullnetin që e kemi mundohemi të stërvitemi edhe pse është shumë ftohtë dhe të përgatitemi për sezonin e ri të vitit 2017. Faza parë e përgatitjeve ka filluar tani, vetëm na mbetet të punojmë dhe të kemi fat që të mos të kemi ndonjë lëndim. Në këtë vit ka pas lëvizje të mira në rezultate edhe pse në këtë vit jemi përballur me të njëjtin problem si të vitit paraprak që na mungoi shtegu i atletikës që është një katastrofë e madhe.

Sepse që dy vite me radhë të jemi pa shteg, por shpresojmë që vitin e ardhshëm mos të na përcjellë i njëjti fat, të kemi shtigje edhe më shumë dhe të avancohet edhe më shumë atletika dhe të zbulohen edhe më shumë talent të ri që të kemi sa më shumë masovitet dhe normalisht se sa me shumë të kenë masovitet kemi mundësi të nxjerrim talente sa më të mirë. Sikur t’i kenë të njëjtat kushtet sikur ne vendet tjera të rajonit ndoshta as nuk do të punonin fare hiq e lere më të kenë edhe rezultate kulminante e norma të ndryshme botërore e evropiane. Nëse do të investohet pak më shumë dhe ta marrin me seriozisht këtë punë institucionet tona që të na përkrahin sadopak me mjete materiale dhe morale më shumë do të kemi një kualitet shumë më të mirë dhe ta përfaqësojmë vendin tonë denjësisht, siç e kemi dëshmuar deri me tani se mundemi dhe kemi kualitet. Sa i përket disa gjërave për stadium e disave të tjerave, do të vonohen ende, sepse këto intervenime është dashur të kryhen në verë e jo tani në këto temperatura të ftohta që ka gjasa shumë me pak të bëhet ndonjë ndryshim.

Për neve si klub, e kam fjalën për KA Roganën, është bërë më mirë tani, sepse është e gatshme edhe një pistë e atletikës me tartan në Gjilan, që për neve do të jetë një lehtësim shumë  i madh, sepse mundemi të stërvitmi aty që e kemi shumë më afër se sa të shkojmë në Shkup apo në Mitrovicë. Vlerësoj se vitin që do të vjen do të kemi ngritje shumë më të mëdha të rezultateve nëse do të shfrytëzojmë atë shteg, sepse në distanca të shkurta dhe të mesme është e pamundur të mendohen rezultate kulminante pa pistë të atletikës.

Autori është atlet i klubit kampion Rogana dhe anëtar i kombëtares së Kosovës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat