Federata Atletike u dha leksion, kur ta shpallesh dikë më të mirin, shpërbleje edhe me euro!

Atletika

Federata Atletike u dha leksion, kur ta shpallesh dikë më të mirin, shpërbleje edhe me euro!

Nga: Kemajl Goca Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 12:48
Musa Hajdari e Vijona Kryeziu

Si gjithmonë shumica e federatave sportive në Republikën e Kosovës i shpallin më të mirët e vitit! Shtrohet pyetja, a ka lezet të shpallesh më i miri kur nuk shpërblehesh më asnjë centi! Disa thonë mirënjohja e Kupat janë shpërblimi më i miri, se mbetet për tërë jetën emri i shkruar aty si sportistit i vitit apo ndër më të mirët! Është fakt dhe i pakontestueshëm! Shumica e federatave sportive i shpallën laureatët e vitit, por deri më tash, sipas informacioneve, krahas hendbollit, asnjë federatë tjetër nuk i ka shpërblyer me mjete financiare më të mirët e Vitit. Sipas informatave as Federata e Futbollit, as ajo e Boksit, as ajo e Notit, as ajo e Volejbollit,  nuk i kanë shpërblyer me euro sportistët e Vitit.  Federata Atletike e Kosovës, Laureatët e Vitit i shpërbleu me nga 900 euro, ndërsa vendi i dytë me 600 euro dhe i treti me 300 euro.

Kjo shumë për dikë mund të konsiderohet jo e madhe, por për sportistin ka shumë vlerë dhe është një motiv shtesë që të angazhohet më shumë dhe të luftojë për rezultate në vitin që jemi. Jo vetëm për  laureatët e Vitit, por edhe për atletët e atletet tjerë që të luftojnë se në fund marrin diçka ose fundja mundi nuk u shkon huq. Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, me bordin e tij kishte vendosur një hap të tillë dhe për shumëkënd ka qenë i mahnitshëm. Edhe Federata e Hendbollit e Kosovës më të mirët e vitit i shpërbleu me të holla. Sado që ishte simbolike aq edhe domethënëse për një sportist, që një numër jetojnë në kushte të vështira. Hendbollisti dhe hendbollistja e vitit u shpërblyen me nga 200 euro, e cila ka qenë një shenjë mirënjohje krahas mirënjohjes në formë plakete. Prandaj, edhe Federata e Çiklizmit e Kosovës që pritet këto ditë t’i shpall më të mirët, është duke e shqyrtuar se do t’i shpërblejë më të mirët me të holla apo jo. Ndërkaq, me 22 shkurt Komiteti Olimpik i Kosovës për herë të parë në histori do të shpall laureatët e vitit. A do të ketë shpërblime me të holla, ende nuk dihet.  Me një fjalë, Federata Atletike u dha leksion, kur ta shpallesh dikë më të mirin, shpërbleje edhe me euro!  Ky shembull i atletikës, që besa edhe i hendbollit, duhet të ndiqet edhe nga federatat tjera sportive, aq sa kanë mundësi me lekë të paktën t’i shpërblejnë. Sepse një herë në vit shpallesh më i miri dhe jo çdo muaj! Musa Hajdari atleti i vitit dhe Vijona Kryeziu atletja e vitit, u shpërblyen me 900 euro. Kjo kishte një domethënie për dy sportistë dhe për ata të vendit të dytë dhe të tretë që morën 600 përkatësisht 300 euro. Disa federata thonë se nuk e kanë praktikë, kurse Federata e Basketbollit e Kosovës, ka kohë që nuk i shpallë më të mirët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat