Shqipëria rrezikon të humbasë një tjetër “xhevahir” të sajën

Atletika

Shqipëria rrezikon të humbasë një tjetër “xhevahir” të sajën

Më: 17 prill 2017 Në ora: 14:09
Smajlaj

Shqipëria rrezikon të humbasë një tjetër “xhevahir” të sajën. Pas dy mundësive të kalibrit botëror si Elis Guri që zgjodhi Bullgarinë (e më pas u shpall kampion bote) dhe medalistit të bronztë të botës, Sahit Prizreni, i cili zgjodhi flamurin e Australisë, tashmë radha është për një tjetër medalisti ndërkombëtar.

Ai është kampioni i saposhpallur i Europës në atletikë, Izmir Smajlaj, dhe i vetmi në historinë e “Mbretëreshës së Sporteve” në Shqipëri. Mesazhin e jep vetë shkodrani Smajlaj në një intervistë për “Panorama Sport”. “Kam ofertë zyrtare nga Kroacia. Nëse shteti nuk më plotëson kushtet dhe kërkesat e mia nuk e përjashtoj mundësinë që të largohem pas Botërorit”.

[Izmir Smajlaj kampion]

Pas triumfit tuaj në Europian, si kanë qenë raportet juaj si kampion kontinental me autoritetet shtetërore në aspektin e mbështetjes?

Për momentin nuk mund të them se janë sjellë keq. Mirë janë sjellë, por vë theksin që pres më tepër mbështetje nga shteti. Një shpërblim 40 milionë lekë nuk është ndonjë shpërblim i madh. Në dijeninë time, të përfaqësosh një shtet tjetër të Europës dhe të shpallesh kampion, të sigurohet jeta. Ndërsa me 40 milionë lekë nuk sigurohet jeta. Por nuk mund ta mohoj faktin se autoritetet shtetërore më kanë mbështetur.

Në momentin që flasim a është çelur shpërblimi prej 40 milionë lekësh?

Po, ka dalë. Këtë javë është miratuar.

Nëse ju nuk shikoni një perspektivë për karrierën tuaj sportive, a rrezikon realisht Shqipëria të humbë një tjetër kampion?

Edhe unë si të tjerët. Ajo çka duhet të them, është se Shqipëria duhet të dijë si t’i mbajë këta sportistë më afër. Jo vetëm mua, por ka edhe mjaft sportistë të tjerë të talentuar që duhet të mbështeten dhe përkrahur për të mos u larguar nga Shqipëria. Mund të përmend rastin e Elis Gurit, nuk u mbështet dhe nuk i plotësuan kërkesat e tij dhe vendosi të përfaqësonte Bullgarinë.

Apo rasti i mundësit Sahit Prizreni me Australinë. Elisi e ngriti flamurin e Bullgarisë si kampion bote, por nëse do të vlerësohej këtu mund ta çonte me përfaqësuesen shqiptare. Kjo mund të ndodhë edhe mua nëse nuk do të më mbështetë. Do të veproj edhe unë si shokët e mi.

Pra, nuk e përjashton mundësinë e një largimi nga Shqipëria?

Po, po, ekziston si mundësi nëse nuk arrijnë të m’i plotësojnë kushtet. Gjithsesi, kam besim që shteti do të reflektojë duke na i plotësuar kushtet dhe nuk do të më lërë të largohem. Normalisht këtu kemi lindur, rritur, është vendlindja jonë. Për shpirt, nuk largohem kurrë nga Shqipëria, por e përsëris, nëse nuk plotësohen kërkesat, do ta rishikoj si mundësi.

Pas kurorëzimit si kampion Europe keni pasur oferta nga shtete të tjera?

Kam pasur oferta nga Kroacia. Kontaktet kanë qenë të shpeshta. Por, për momentin, do të qëndroj me Shqipërinë. Megjithatë, pas kampionatit botëror, do ta shoh nëse do të qëndroj apo jo. Në kampionatin botëror do të garoj me Shqipërinë, më mbrapa do ta shoh si opsion.

Si po vijon faza përgatitore duke qenë se jemi në prag të Botërorit?

Stërvitja ka vazhduar rregullisht. Prej muajit të ardhshëm do të zhvilloj një fazë përgatitore, me shumë mundësi në Mançester dhe do të qëndroj atje deri në fillimin e kampionatit botëror. Nuk mund të rri pa përmendur kontributin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Atletikës, të cilët kanë shprehur angazhimin maksimal për të mbuluar çdo shpenzim për fazë përgatitore.

Këto kohë kam pasur mbështetje morale, përkrahjen dhe respektin e të gjithëve. Edhe ata njerëz që nuk i njoh më kanë ndalur dhe më kanë uruar për suksesin. Madje, edhe nga të panjohur kam marrë mesazhe dhe kanë shprehur gatishmërinë për të më mbështetur.

Nuk është gjë e vogël besoj të çosh lart flamurin shqiptar në Beograd. Kam pasur takim me kryerparlamentarin Ilir Meta, do të kisha shumë dëshirë të zhvilloja edhe një takim me kryeministrin Edi Rama, edhe pse ai e kishte publikuar në rrjetin social “Facebook” videon e garimit tim në Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat