Luiza Gega firmos me Fenerbahçe

Atletika

Luiza Gega firmos me Fenerbahçe

Më: 29 prill 2017 Në ora: 01:19
Luiza Gega

Pasi ka thyer çdo rekord të mundshëm në Shqipëri, ku më i fundit ishte ai i garës së 10,000 metrave, i cili rezistonte prej afro tre dekadave, Luiza Gega do të vazhdojë karrierën në Turqi. Kampionia shqiptare firmosi kontratë 1-vjeçare me Fenerbahcen. Atletja e lindur në Dibër do të përfaqësojë klubin e mirënjohur në arenën ndërkombëtare por edhe në garat kombëtare në Turqi. Aventura e 28-vjeçares me Fenerbahcen do të nisë prej turneut të Superligës që do të zhvillohet në Ankara, në datën 6 dhe 7 Qershor. Në deklaratën zyrtare, klubi nga Stambolli la të kuptohej se atletja kuqezi mund të konkurrojë në garat e mesme, që cilësohen edhe specialiteti i saj.

Në vitin 2016 Luiza Gega u shpall nënkampione e Europës në garën e 3,000m me pengesave, në turneun e zhvilluar në Amsterdam, duke i sjellë Shqipërisë medaljen e parë kontinentale në pistat e atletikës. Kësaj arritje i shtohet medalja e artë në garën e 1,500 metrave në Lojërat Europiane në Baku dhe argjendi në disiplinën e 800 metrave në të njëjtin eveniment.

Gjatë vitit 2017 Luiza Gega ka fituar medalje ari në 1,500 metra në Mitingun Ndërkombëtar për salla të mbyllura në Stamboll. Në të njëjtën disiplinë në Ostrave të Republikës Çeke atletja shqiptare ka fituar medaljen e argjendtë, ndërsa në Mitingun e Parisit për salla të mbyllura ajo fitoi medaljen e bronzit, duke thyer edhe rekordin kombëtar në garën e 3,000 metrave, që rezistonte prej më tepër se dy dekadave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat