Sylejmani për gjysmëmaratonën: Presim garë të fortë

Atletika

Sylejmani për gjysmëmaratonën: Presim garë të fortë

Nga: Kemajl Goca Më: 12 maj 2017 Në ora: 18:49
Halil Sylejmani

Me 14 maj përkatësisht të dielën kryeqyteti i Kosovës, do të jetë arenë e garës më të madhe në vend, gjysmëmaratona ndërkombëtare “Prishtina 2017”, njëherësh Kampionat Ballkanik. Atletët e atletet nga vendet e ndryshme të botës, do t’ia mësyjnë kryeqytetit për të garuar në gjysmëmaratonë, që do të mbahet për herë të 17-të me radhë. Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot”, se rrjedha e përgatitjeve po shkon sipas planit dhe është i bindur se do të jetë njëra nga garat më atraktive që organizohet tash e 17 vjet.

“Realisht, ne shqiptarët jemi ka punojmë, Kosova është ka punon, federata po punon, përgatitje janë në nivelin më të lartë profesional që duhet të jenë, ashtu si e kërkon rendi. Regjistrimi është duke shkuar mirë deri me tani dhe janë regjistruar 500-600 veta për të garuar në këtë ngjarje të madhe, por besoj se do të kalojë shifrën e vitit të kaluar, mbi 1500 veta. Nesër vjen kryetari i Federatës Ballkanike të Atletikës,  Dobromir Karamarinov, bashkërisht me të do të organizojmë një konferencë për shtyp dhe do të bisedojmë edhe për shumë çështje”, tha Sylejmani. 

Ai më tutje tha se janë ardhur atletë nga vendet e ndryshme, si Kenia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  nga vendet ballkanike dhe ato evropiane. Sylejmani beson se koha do të jetë fantastike për garë: “Sipas parashikimeve, është e mundur me qenë kohë fantastike për garuesit, pra nga fillimi e deri në përfundim të garës dhe e cila besoj se do të jetë atraktive, domethënëse, që ndikon në zhvillimin e sportit në përgjithësi. Sivjet Kampionati Ballkanik ka vlerë të madhe, sepse  për herë të parë në historinë 45-vjeçare, do të organizohet në vendin tonë”.  Numri një i federatës tha se nuk kanë asnjë dilemë.

“Ka me qenë një festival ashtu si i ka hije, të gjitha përgatitjet janë kryer në mënyrë të sofistikuar, ashtu si e kërkon. Do të ketë mysafirë nga jashtë, besoj se ne do të japim provimin. Deri në orën 20.00 të ditës së sotme është i hapur regjistrimi dhe u bëj apel që secili të regjistrohet në afatin kohës së përcaktuar”, ka thënë Sylejmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat