I riu nga Holanda shkatërron veturën Tesla në vlerë 85.000 euro

Auto

I riu nga Holanda shkatërron veturën Tesla në vlerë 85.000 euro

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 23:26
Tesla në vlerë 85.000 euro

Në qytezën holandeze Bilthoven ka ndodhur një aksident bizar kur një 18-vjeçar, i cili sapo kishte marrë lejen e vozitjes, ka shkatërruar veturën e shtrenjtë Tesla Model S duke goditur pjesën e përparme të shtëpisë.

Goditja ishte aq e fuqishme sa që është shembur pjesa e përparme e murit të shtëpisë, por fatmirësisht askush nga banorët nuk është lënduar. Por, kjo nuk vlen edhe për udhëtarët, të cilët ndodheshin në Tesla, pasi tre prej tyre morën lëndime dhe përfunduan në spital.

Deri tek aksidenti erdhi kur një grup i të rinjve vendosi që pas argëtimit në një party të vazhdojnë “vozitjen e çmendur” nëpër rrugë me Modelin S.

Pronari i veturës, ndryshe babai i vozitësit, kishte vërejtur përmes aplikacionit se Tesla e tij nuk ishte e parkuar para shtëpisë së tij dhe atëherë e kuptoi se çfarë po ndodh.  

“E kam ditur se fëmijët po bëjnë party dhe kjo nuk më ka pëlqyer. Pastaj, ata deshën “të testojnë” automobilin. Nuk do të më befasonte nëse kanë vozitur 150 kilometra në orë. Policia më herët ka tentuar t’i ndalojë, por ata shpejtuan edhe më shumë”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të hetimeve u konfirmua se vozitësi ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, dhe pak para goditjes së shtëpisë nuk janë gjetur shenja të frenimit në rrugë.

Vozitësi është arrestuar dhe lejen që e kishte marrë disa ditë më parë, tash nuk do të ketë rast ta shohë për një kohë.

Zjarrfikësit, të cilët intervenuan, fillimisht u detyruan të sigurohen që pjesa e shtëpisë të mos shembet, para se të largojnë veturën Tesla. 

“Shpresoj se do të mund të fle sonte në shtëpi. Pas kësaj do të shikoj opsionet për sanimin e dëmit me ndërmarrjen ndërtimore”, tha pronari i shtëpisë Van der Kooij.

Ndryshe, Tesla Model S është i vitit 2015 dhe ka kushtuar 85.000 euro.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat