35 civilë të vrarë nga sulmet turke në Siri

Azia

35 civilë të vrarë nga sulmet turke në Siri

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 15:05
Ilustrim

Monitoruesit e organizatës me seli në Britani “Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut” thonë se në sulmet ajrore të Turqisë në Sirinë veriore, të dielën u vranë të paktën 35 civilë: 20 vetë u vranë në fshatin Jub-al-Kousa. 50 persona u plagosën gjatë sulmit në një zonë nën kontrollin e forcave milicore, aleatë me Forcat Demokratike Siriane me mbështetjen kurde.

Po sipas Organizatës “Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut”, një tjetër sulm shkaktoi 15 civilë të vraë dhe 20 të tjerë të plagosur në qytetin Al-Armana. Ndërsa të shtunën, helikopterët qeveritarë hodhën dy bomba ndërsa zhvillohej një funeral në lindje të Alepos duke vrarë të paktën 23 persona.

Qeveria siriane vazhdimisht mohon përdorimin e bombave, por analistët thonë se Damasku dhe Moska komandojnë të vetmet forca që operojnë helikopterët mbi Alepo.

Të shtunën, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, tha se Kombet e Bashkuara kanë hartuar një plan emergjence për qytetin e Alepos, pas thirrjes së tij javën e kaluar për një armëpushim prej të paktën 48-orësh, me qëllim që të bëhet e mundur hyrja e ndihmave të OKB-së.

De Mistura tha se kjo ishte një “nismë pilot”, e cila synon të fillojë faza për pezullimin e luftimeve një herë në javë, në mënyrë që të dërgohet ndihma humanitare. Ai tha se me këtë plan ka rënë dakord edhe Rusia.

Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të tjerë të Forcës për Ndihmat Humanitare po i vazhdonë përpjekjet për zbatimin e planit të OKB-së për dërgimin e ndihmave humanitare për banorët e bllokuar në Alepo, një qytet që dikur kishte 2,3 milionë banorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat