Putin i mohon “krimet e luftës” në Siri

Azia

Putin i mohon “krimet e luftës” në Siri

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 09:25
Alepo, Siri

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i hodhi poshtë pretendimet se vendi i tij mund të përballet me akuzat për krime lufte, për shkak të bombardimeve në Alepo të Sirisë.

Ai i tha medias franceze se akuzat janë “retorikë” që nuk përkon me realitetet në Siri.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë, ditë më parë, se sulmet ajrore të Rusisë në Alepo mund të llogariten krime lufte.

Pjesa lindore e këtij qyteti, e cila kontrollohet nga rebelët, është cak i bombardimeve të vazhdueshme që nga kolapsimi i armëpushimit, disa javë më parë.

Pavarësisht akuzave të ndërsjella se kush është fajtor për dështimin e armëpushimit, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar të mërkurën që të rinisin bisedimet për Sirinë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të takojë homologun amerikan, John Kerry, dhe përfaqësues të tjerë të fuqive rajonale, të shtunën në Zvicër.

Putin tha se Rusia do t’i ndjekë terroristët edhe nëse ata fshihen në mesin e civilëve.

“Nuk mund t’i lejojmë terroristët që t’i përdorin njerëzit si mburoja dhe të shantazhojnë gjithë botën”, tha Putin në një intervistë për kanalin TF1, duke shtuar se vdekjet e civilëve janë “realiteti i hidhur i luftës”.

Duke iu përgjigjur pretendimeve se sulmet ajrore të Rusisë mbi zonat e populluara me civilë llogariten si krime lufte, Putin tha se “kjo është retorikë politike që nuk do të thotë shumë dhe nuk përkon me realitetet në Siri”.

“Jam thellësisht i bindur se janë partnerët tanë perëndimorë, para së gjithash Shtetet e Bashkuara natyrisht, ata që janë përgjegjës për situatën”, tha Putin.

Rusia ka akuzuar SHBA-në se mbështet fshehurazi xhihadistët e lidhur me Al Kaidën në Siri, në përpjekje për të rrëzuar presidentin sirian, Bashar al-Assad. SHBA i hedh poshtë këto akuza.

Këtë javë, Putin ka shtyrë një vizitë të planifikuar në Francë, pasi homologu i tij francez ka këmbëngulur që bisedimet të përqendrohen vetëm te çështja e Sirisë.

"Vladimir Putin ka refuzuar të vijë dhe të bisedojë për Sirinë... Ai ka intensifikuar bombardimet në Alepo dhe e imagjinoj se sa e turpshme do të ishte për Putinin të vinte në Paris dhe të fliste për Sirinë", tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, për radion Europe 1.

Moska vazhdimisht mohon se sulmon civilët në Siri, duke thënë se shënjestër e saj janë grupet terroriste.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se në bisedimet e së shtunës, sekretari Kerry do të diskutojë “qasje të ndryshme” për t’i dhënë fund krizës, “përfshirë armëpushimin e qëndrueshëm dhe rifillimin e dërgesave humanitare”.

Fuqitë kryesore rajonale: Arabia Saudite, Turqia dhe Irani pritet po ashtu të marrin pjesë në bisedimet në Luizianë.

Të mërkurën, së paku 40 veta, përfshirë fëmijë, janë raportuar të vrarë nga sulmet ajrore në Alepo.

Alepo, dikur qyteti më i madh i Sirisë dhe qendër komerciale dhe industriale e vendit, është i ndarë qysh në vitin 2012; forcat e Assadit kontrollojnë pjesën perëndimore, ndërsa fraksionet rebele atë lindore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat