Indonezia ashpërson dënimet për pedofilët, ja çfarë parashikon ligji i ri

Azia

Indonezia ashpërson dënimet për pedofilët, ja çfarë parashikon ligji i ri

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 16:10
Ilustrim

Rasti i përdhunimit brutal të një vajze 14-vjeçe në Indonezi e ka shtyrë parlamentin e këtij vendi të ndryshojë ligjin që parashikon ndëshkimin e pedofilëve. Sipas ligjit të ri, pedofilët do t’i nënshtrohen kastrimit kimik.

Ndryshimet në ligj parashikojnë dënime që nisin nga 10-20 vjet burg për pedofilët dhe në rastet e përsëritjes së krimit, gjykata lëshon një urdhër për kastrimin e tyre kimik ose vendosjen e një mikroçipi.

Në rastet ekstreme, kur përdhunuesi vret viktimën ose e lë me trauma të thella psikologjike apo sëmundje seksualisht të transmetueshme, ai dënohet me vdekje.

Ashpërsimi i ligjit vjen pas rastit të një 14-vjeçareje, e cila u përdhunua nga një grup prej 12 meshkujsh në prill të këtij viti, në Sumatra.

Vajza u sulmua ndërsa kthehej nga shkolla dhe u gjet e lidhur në pyll tri ditë më pas.

Të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje u arrestuan.

Por ndryshimet e ligjit janë kundërshtuar nga shoqatat e të drejtave të njeriut dhe dy parti të opozitës, të cilat votuan kundër.

Ndërsa Shoqata e Mjekëve të Indonezisë bëri të ditur se do të refuzojë kastrimin kimik, një proces që ka të bëjë me injektimin te përdhunuesit të një hormoni femëror.  Mjekët thonë se kjo përbën shkelje të etikës mjekësore.

Megjithatë, kastrimi kimik i pedofilëve është i lejuar me ligj në disa vende si Polonia, Koreja e Jugut, Turqia, Rusia dhe disa shtete të SHBA-ve.

Në Britaninë e Madhe, kësaj procedure pedofilët mund t'i nënshtohen vullnetarisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat