Koreja e Veriut teston raketën e radhës balistike, pa sukses

Azia

Koreja e Veriut teston raketën e radhës balistike, pa sukses

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 20:13
Ilustrim

Koreja e Veriut ka kryer një test të pasuksesshëm të një raketë balistike me rreze të mesme veprimi. Këtë e vunë re Shtetet e Bashkuara, të cilat janë shprehur se raketat “Musudan” kanë një rreze veprimi prej 4.000 km, e mjaftueshme për të goditur Korenë e Jugut, Japoninë apo territorin amerikan të Guamit.

Ndërkohë testi i dështuar vjen në një kohë kur shtohen gjithnjë e më shumë zërat se Koreja e Veriut po përgatitet për një test të një rakete me rreze ta gjatë veprimi, apo një test bërthamor.

Lidhur me komente amerikane, Koreja e Veriut nuk reagoi, megjithëse vendi komunist ka kryer mjaft teste raketash dhe armësh bërthamore këtë vit, duke injoruar sanksionet e OKB-së, që e ndalojnë ta bëjë këtë.

“Testi i fundit i Koresë së Veriut u krye në afërsi të qytetit Kusong, por nuk paraqiti asnjë rrezik për SHBA-të apo aleatët e tyre”, deklaron Pentagoni. Edhe Koreja e Jugut e konfirmoi lëshimin e dështuar, ndërsa nuk harroi që të kritikonte ashpër veprimet luftënxitëse të fqinjit të saj.

Raketat “Musudan” janë të lëvizshme dhe lëshohen nga kamionët që i transportojnë. Këtë vit, Koreja e Veriut ka testuar të paktën 6 herë raketat të tilla dhe shumica e tyre kanë dështuar. Por në një rast, një prej raketave mundi të fluturojë për 1.000 km.

Kujtojmë se tensioni është mjaft i lartë në gadishullin korean, ku SHBA-të dhe Koreja e Jugut po kryejnë stërvitje të përbashkët ushtarake, një formë e zakonshme kërcënimi për Korenë e Veriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat