Mbi 900 persona, janë larguar nga qyteti irakian Mosul dhe kanë kaluar kufirin për në Siri, ka thënë agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara.
Ky është grupi i parë i madh i civilëve, i konfimuar, që ka ikur nga Mosuli, që prejse qeveria irakiane të hënën nisi ofenzivën për çlirimin e qytetit nga grupi militant, Shteti Islamik, njofton BBC.
Besohet se në Mosul jetojnë 1.5 milion banorë dhe mbi 5 mijë luftëtarë. Ka frikë se militantët do të përdorin civilët si mburojë njerëzore, teksa forcat irakiane i afrohen Mosulit.
Një zëdhënëse e agjencisë për refugjatë të OKB-së, UNHCR, ka thënë se mbi 900 njerëz që kanë ikur nga Mosuli për në Siri, dhe tash gjenden në një kamp të refugjatëve.
Ajo tha se është e mundshme që agjencia ta përdor këtë kamp si ndalesë të shkurtër, derisa të gjendet një vend i sigurt për ta në Irak .
Ky numër i madh i njerëzve që kanë ikur nga Mosuli tregon se militantët nuk janë në gjendje të ndalin të gjithë njerëzit që duan të ikin. Po ashtu ka frikë se edhe luftëtarët e IS-it mund të përdorin të njëjtën rrugë për të ikur nga Mosuli.
Të hënën, forcat e qeverisë irakiane dhe forcat kurde, të mbështetura nga koalicioni ndërkombëtar që po udhëheqet nga SHBA-të, kanë nisur ofensivën për çlirimin e Mosulit. Ky qytet ka rënë nën kontrollin e IS-it në vitin 2014.