80 mijë të evakuar në Izrael nga zjarret

Azia

80 mijë të evakuar në Izrael nga zjarret

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 13:09
Pamje nga vendi i ngjarjes

Rreth 80 mijë persona janë evakuar nga shtëpitë e tyre, në ditën e tretë të zjarreve që kanë mbërthyer Izraelin, sidomos qytetin e Haifas.

Përveç thatësirës dhe erërave të forta, ekziston mundësia që disa prej shpërthimeve të zjarrit të kenë qenë të qëllimshme, aq sa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se zjarrvënia është terrorizëm dhe si e tillë do të trajtohet.

Ministri izraelit i Sigurimit, Gilad Erdan dhe Shin Bet, agjencia zyrtare izraelite e Sigurisë së Brendshme po punojnë së bashku me policinë, ku konfirmojnë arrestimin e disa personave.

Nga zonat qendrore të vendit përreth Jeruzalemit, Modinit, Tel Avivit dhe Haifas ka shtëllunga tymi dhe transporti është ndërprerë, shtëpitë janë braktisur, shkollat dhe kopshtet janë mbyllur, rrugët janë zbrazur, burgjet janë evakuar dhe sipas disa vlerësimeve më shumë se 100 persona janë dërguar në urgjencën e spitaleve.

“Deri më tani nuk janë raportuar viktima” sipas Netanyahut, i cili vuri në dukje gatishmërinë dhe aftësinë e ndërhyrjeve të qeverisë së tij.

Jo pak persona kanë folur për një mrekulli, duke pasur parasysh shkallën e zjarreve.

Izraeli i ka kërkuar ndihmë komunitetit ndërkombëtar për më shumë avionë zjarrfikës dhe tashmë 13 të tillë janë dërguar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat