Siri, vdes nga sulmet ajrore kllouni i Aleppos

Azia

Siri, vdes nga sulmet ajrore kllouni i Aleppos

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 20:17
Anas al-Basha

Ai ishte ndoshta shtetasi i vetëm sirian që iu sillte gëzime e kënaqësi fëmijëve të shokuar nga lufta civile disavjeçare në Siri.

Punonte si një klloun cirku, vetëm e vetëm për t’iu mundësuar fëmijëve të vegjël të hiqnin mendjen nga luftimet, por mbeti edhe vet viktimë e sulmeve ajrore të ndërmarra në pjesën lindore të kontrolluar prej rebelëve në Aleppo.

Anas al-Basha, 24 vjeç, ishte drejtues qëndror i grupit të shoqërisë civile “Space of Hope”. 

Forcat qeveritare kanë bombarduar lindjen e Aleppos, sidomos pas fushatës së javëve të fundit për të rimarrë totalisht kontrollin e qytetit nga rebelët. Rreth 250 mijë njerëz thuhet se jetojnë nën rrethim, mes të cilëve 100 mijë janë fëmijë.

Sipas raportimeve zyrtare, në Aleppo nuk ka mbetur asnjë spital funksional, ndërkohë që edhe rezervat ushqimore janë mbaruar.

Basha ndërroi jetë pas një sulmi ajror të së martës në periferinë Mashhad, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”. “Ai jetonte për t’i bërë fëmijët të qeshnin dhe të ishin të lumtur, pikërisht në vendin më të errët dhe më të rrezikshëm të botës”, tha Mahmoud al-Basha, i cili u identifikua si vëllai i Anasit.

“Anas refuzoi të largohej nga Aleppo dhe vendosi të qëndronte atje për të vijuar punën si vullnetar, për të ndihmuar civilët dhe për të dhënë dhurata për fëmijët e mbetur rrugëve, në mënyrë që t’iu jepte paksa shpresë”, shton më tej ai.

Prindërit e Bashës u larguan nga qyteti përpara se forcat qeveritare të Assadit të nisnin rrethimin e Aleppos në korrik. Ai ishte martuar vetëm dy muaj më parë, ndërkohë që bashkëshortja e tij mbetet ende e bllokuar në enklavën e rebelëve.

Ofensiva qeveritare është shoqëruar me bombardime të paprecedenta gjatë javëve të fundit, duke lënë me qindra civilë të vdekur dhe duke shkaktuar largimin e mbi 25 mijë të tjerëve nga shtëpitë e tyre.

Të mërkurën, një zyrtar i lartë i OKB-së paralajmëroi se qyteti rrezikonte të bëhej një “varrezë masive gjigante”. Mbikëqyrësja e Bashës, Samar Hijazi tha për “Associated Press” se do ta kujtonte atë si një mik të mirë që e dashuronte punën me fëmijët.

“Ai dëshironte të luante skeçe për fëmijët, për të thyer muret mes të rriturve dhe atyre. Të gjithë ne kemi mbetur të shokuar, por duhet të gjejmë forcë për t’i dhënë mbështetje psikologjike të gjithëve, e për të vazhduar punën tonë”, shtoi Hijazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat