Jug-koreanët kërkojnë largimin e presidentes

Azia

Jug-koreanët kërkojnë largimin e presidentes

Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 00:12
Korea

Qindra mijëra protestues u mblodhën në Seul të shtunën për të kërkuar largimin e presidentes Park Geun-hye, duke shënuar fundjavën e gjashtë të demonstratave në qytet.

Protestat filluan menjëherë pasi Asambleja Kombëtare e Koresë së Jugut njoftoi të premten se kishte shtyrë për deri më 9 dhjetor një votim për shkarkimin e presidentes Park.

Presidentja ka qenë e përfshirë në një skandal për ndikim prej shumë-milion dollarësh që ka prishur imazhin e saj si udhëheqëse e fortë dhe e pakorruptuar.
Policia vlerësoi numrin e protestuesve në rreth 320 mijë vetë, edhe pse organizatorët e protestës thonë se në të marrin pjesë rreth 1,7 milionë njerëz.

Për herë të parë në historinë e Koresë së Jugut, prokurorët e cilësuan presidenten “një subjekt në hetim penal”. Ata thanë se zonja Park ishte përfshirë në akte të paligjshme që janë kryer nga mikja e saj me ndikim, Choi Soon-sil, për të detyruar konglomerate të mëdha koreane të dhurojnë më shumë se 65 milionë dollarë në dy fondacione. Choi akuzohet gjithashtu se ka kanalizuar disa nga fondet për kompanitë e saj private dhe për kontratat për miqtë e saj.

Udhëheqësit e opozitës më parë kishin thënë se zotëronin shumicën e nevojshme prej dy të tretash në Asamblenë Kombëtare prej 300-anëtarësh për të fajësuar presidenten, dhe kishin planifikuar votën për të premten.

Për të arritur në pragun e 200 votave, dy partitë kryesore të opozitës, Partia Demokratike dhe Partia Popullore, të cilat mbajnë 159 vende në parlament, do të kenë nevojë për mbështetje nga një numër ligjvënësish të pavarur dhe anëtarët e pakënaqur të Partisë Saenuri në pushtet.

Megjithatë oferta e presidentes Park të martën për të dhënë dorëheqjen në kushte të caktuara ka bashkuar partinë së saj kundër shkarkimit, të paktën tani për tani, dhe ka krijuar shqetësime në rradhët e opozitës.

Besnikë të zonjës Park janë duke bërë thirrje për dorëheqjen vullnetare të presidentes deri në fund të prillit dhe për zgjedhje presidenciale në qershor.

Në Nju Jork, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i cili gjerësisht konsiderohej si konkurrent kryesor për të zëvendësuar zonjën Park para se të dilte skandali, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës të premten se e ka ndjekur nga afër situatën në Seul. "Unë e di se protestuesit janë shumë të zemëruar në lidhje mungesën e qeverisjes së mirë", tha ai. Zoti Ban nuk ka thënë nëse do të kandidojë për president, duke shtyrë çdo vendim publik derisa mandati i tij si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së të përfundojë në fund të këtij viti.

Mandati i presidentes jug-koreane përfundon në fund të vitit 2018. Po ashtu, nëse presidentja largohet tani, Korea e Jugut do të qeveriset nga kryeministri dhe duhen rreth 9 muaj për përgatitjen e zgjedhjeve të reja.

Një nga ndihmësit e presidentes gjithashtu përballet me akuza të ngjashme dhe një tjetër është akuzuar për nxjerrjen e sekreteve shtetërore.

Për pesë javët e fundit ka pasur protesta masive publike në të gjithë vendin që kërkojnë dorëheqjen e presidentes Park dhe protesta të tjera janë planifikuar për këtë fundjavë.

Popullariteti i presidentes së Koresë së Jugut ka rënë në 4 për qind dhe një anketë e kohëve të fundit tregon se 80 për qind e koreano-jugorëve mendojnë se zonja Park duhet të shkarkohet./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat