Për Iranin, fitorja e Assadit në Alepo është fitore kundër SHBA-së

Azia

Për Iranin, fitorja e Assadit në Alepo është fitore kundër SHBA-së

Më: 15 dhjetor 2016 Në ora: 13:53
Pamje nga lufta në Siri

Presidenti iranian, Hassan Rohani e ka telefonuar homologun e tij sirian, Bashar al Assad, që ta urojë për mundjen e forcave rebele në qytetin e Alepos. Për iranianët, beteja për këtë qytet është një fitore kundër Shteteve të Bashkuara.

“Fitorja në Alepo…paraqet një fitore të madhe për popullin sirian kundër terroristëve dhe atyre që i kanë përkrahur ata”, i ka thënë Rohani liderit sirian mbrëmjen e 14 dhjetorit, sipas faqes së internetit të presidentit iranian.

Thirrja telefonike është kryer derisa konservatorët në Iran fitoren në Alepo e konsiderojnë si fitore kundër SHBA-së.

Kjo është parë edhe nëpër pano të vendosura nëpër kryeqytetin iranian, Teheran ku shkruan: “Lufta kundër Shteteve të Bashkuara edhe njëherë është shpaguar. Alepo është çliruar”.

Rohani ka thënë se Irani do të vazhdojë ta përkrahë Assadin derisa ai të mund të gjithë kundërshtarët e tij, disa prej të cilëve e kanë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara.

“Irani mbetët në anën e Sirisë derisa të bie terroristi i fundit”, ka thënë ai.

Irani dhe Siria, të gjitha grupet që janë ngritur kundër tyre, përfshirë edhe ata që e kanë përkrahjen e perëndimit i quan si “terroristë”.

Rohani gjithashtu i ka kërkuar Assadit që të lëjojë korridore humanitare për qytetarët e Alepos, derisa ka ofruar ndihmë për këtë përmes Kryqit të Kuq iranian.

Lideri sirian thuhet se ka deklaruar se Irani ka qëndruar “në anën e popullit dhe qeverisë siriane në momentet më të vështira, dhe ne këtë nuk do e harrojmë kurrë”.

Sidoqoftë, festa e kësaj fitoreje është bërë në kohën kur një zyrtar i lartë i OKB-së ka thënë se Assadi dhe aleatët e tij me gjasë kanë kryer “krime lufte” duke vrarë qindra civilë në betejën brutale për rimarrjen e kontrollit mbi Alepo.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid bin Raad Zeid Al Hussein, ka thënë se Siria dhe aleatët e saj, Rusia dhe Irani sipas të gjitha gjasave kanë shkelur ligjin ndërkombëtar të luftës dhe ndoshta kanë kryer krime lufte gjatë bombardimeve të fundit ndaj civilëve të cilët shpresonin të evakuohen nga Alepo lindore.

Reagimet ndërkombëtare për bombardimin e Alepos dhe krimet që dyshohet se po kryhen atje kanë vazhduar pandërprerë. Kryeministri francez, iu është drejtuar dhomës së ulët të parlamentit francez duke folur për situatën në qytetin sirian.

"Ne nuk do të pranojmë që bombardimi dhe luftimet të arrijnë një nivel të tillë të barbarizmit. Një luftë kjo e deklaruar nga regjimi i Bashar al Assadit, me përkrahjen e Rusisë, kundër popullit të vet”, ka thënë kryeministri francez, Bernard Cazeneuvenë parlamentin francez.

Mirëpo, megjithë paralajmërimet ndërkombëtare, situata në Alepo shihet krejt ndryshe nga Irani.

Fakti se në Alepo ka mbetur vetëm një zonë e vogël nën kontrollin e rebelëve, konservatorët në Teheran thonë se ofensiva për këtë qytet sirian e tregon rritjen e ndikimit të Iranit në rajon.

“Koalicioni në mes të Iranit, Rusisë, Sirisë dhe Hezbollahut ka çuar deri te çlirimi i Alepos, ndërsa tani do e çlirojë Mosulin”, ka thënë Jahja Safavi, këshilltari kryesor për politikë të jashtme i liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Safavi, ish udhëheqës i Gardës Revolucionare Islamike, nuk e ka përmendur që fushata për çlirimin e Mosulit nga Shteti Islamik merr përkrahje të madhe nga sulmet ajrore amerikane dhe forcat këshilldhënëse që SHBA-të i kanë në tërren në Irak.

Safavi ka thënë se fitorja në Alepo dërgon mesazh të qartë për presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili është zotuar për të mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Iranit, shkruan rel.

“Presidenti i ri amerikan duhet ta pranojë realitetin se Irani është fuqia udhëheqëse në rajon”, ka thënë Safavi sipas faqës së internetit të Gardës, “Sephanews”.

Irani nuk e ka përfshirë ushtrinë e saj të rregullt në konfliktin e Sirisë, por Grada Revolucionare e saj e ka luajtur një rol të rëndësishëm koordinues.

Mijëra vullnetarë iranian, shumica e të cilëve të motivuar nga dëshira për të mbrojtur vendet e shenjta shiite në Siri, besohet se po luftojnë në vijën e frontit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat