Lufta nuk ka mbaruar

Azia

Lufta nuk ka mbaruar

Më: 25 dhjetor 2016 Në ora: 09:34
ilustrim

Halepi ra, apo Halepi u çlirua? Media perëndimore ka ndërmarrë një sulm të paprecedentë për të imponuar një narrativë origjinale të pushtimit për një ngjarjeje historike që prek qytetin e dytë sirian. Ndonëse brenda territorit shtetëror të Sirisë, ndonëse veprimet e trupave ruse dhe iraniane kanë qenë aty me lejen e qeverisë së Damaskut, mediat po flasin për një pushtim. Po bëjnë moralin e të drejtës së rebelëve, të cilët janë gjithfarë ngjyrash, duke dëshmuar kështu se ajo që ndodhi në Siri është fillimi i një ballafaqimi shumë kërcënues për paqen.

Në këtë kuadër, merr një rëndësi të madhe vlerësimi që po bën politika amerikane për këtë situatë. Në një opinion të vetin në “The Washington Post”, senatori i Arizonës, John McCain, njeri me ndikim në SHBA, flet për “bashkëpunimin e ShBA-së në këtë tragjedi”.

“Varret masive qëndrojnë para nesh dhe emri Halep do të jehojë përmes historisë njësoj si Srebrenica dhe Ruanda, si një testament i dështimit tonë moral dhe turpit të përjetshëm”shkruan McCain, raporton Respublica.

Me një nënkuptim të qartë të armiqësisë me Rusinë dhe të gjithë aktorët që kundërshtojnë dominimin amerikan, senatori në fjalë sugjeron manikeizmin e Luftës së Ftohtë si arkitekturë për botën e sotme. E keqja, e liga, barbarja janë në atë anë që kanë qenë gjithë kohës, kurse e mira është përherë në Perëndim. Edhe pse Sadami, Gedafi, Assadi, kanë qenë të sponsorizuar nga Perëndimi, kanë qenë financuar prej tij e në ndonjë rast si lufta Iran – Irak edhe janë shtyrë në krime kundër njerëzimit.

Nuk ngjit ky marsh luftarak i McCain, nuk ngjit më lufta e mirë dhe e lufta e keqe që ofrohet si narrativë nga mediat tanimë të diskredituara në Perëndim. Dhe lufta nuk ka mbaruar. Madje mund të thuhet “nuk paska të mbaruar”:

“Halepi mund të jetë humbur, por lufta në Siri është larg nga të qenit e përfunduar. Ndoshta do të bëhet më keq ndërsa regjimi i Assadit, Irani, Rusia, Turqia, kurdët, shtetet e Gjirit dhe të tjerë intensifikojnë luftimet mbi atë çfarë ka mbetur nga kufoma e Sirisë. ShBA-të duhet të bëjnë një zgjedhje. Sa më gjatë ne presim për të ndihmuar që lufta të mbarojë, aq më shumë përkeqësohen opsionet tona” vijon me ton luftarak dhe alarmant McCain.

Dhe pas këtij paragrafi senatori zbulon se cili është interesi kombëtar i SHBA-së në Siri: rigjallërimi i Al Qaedas:

“Nuk është vetëm për vuajtjet e të tjerëve, është për sigurinë tonë kombëtare. Rimgjallja e Al Qaedas në Siri na prek ne. Një krizë refugjatësh që destabilizon aleatët tanë si Izraeli dhe Jordania dhe kërcënon themelet e demokracisë perëndimore, na prek ne…Në fund ne duhet të kuptojmë se fundi i konfliktit të Sirisë nuk do të jetë i mundur derisa Assad dhe mbështetësit e tij të huaj të kuptojnë se nuk mund t’ia dalin në rrugë ushtarake. Dhe mos harroni: Arritja e suksesit në rrugë ushtarake është ajo çfarë ata po bëjnë. Ne duhet t’i kthejmë sytë nga mençuria e ish-sekretarit të Shtetit, George Shultz: “Diplomacia e pambështetur me forcë përherë do të jetë joefektive në rastin më të mirë dhe e rrezikshme në rastin më të keq” shkruan McCain.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat