Forcat e Irakut rikthejnë aeroportin në Mosul

Azia

Forcat e Irakut rikthejnë aeroportin në Mosul

Më: 23 shkurt 2017 Në ora: 15:40
Ofensiva për rimarrjen nën kontroll të aeroportit në Mosul, 23 shkurt 2017

Forcat irakiane të sigurisë kanë rikthyer aeroportin e Mosulit nga kontrolli i grupit militant Shteti Islamik.

Ofensiva për rikthimin e pjesës perëndimore të qytetit ka nisur këtë javë, pasi militantët janë dëbuar nga ana lindore.

Televizioni shtetëror konfirmoi se “forcat irakiane janë plotësisht në kontroll të aeroportit”.

Trupa të huaja nga koalicioni që udhëheq SHBA-ja kanë qenë me trupat sulmuese, thanë zyrtarët, por nuk e specifikuan kombësinë e tyre.

Mosuli ka rënë nën kontrollin e Shtetit Islamik qysh në verë të vitit 2014. Pjesa e qytetit në lindje të Lumit Tigër është çliruar një muaj më parë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë më 20 shkurt se rreth 2,000 luftëtarë të Shtetit Islamik janë ende në qytet.

Rreth 750,000 civilë po ashtu mbeten në Mosul, i cili është qyteti i dytë më i madh i Irakut dhe bastioni i fundit i grupit militant në këtë vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat