'Pse më propozoi ISIS-i ta vrisja vajzën time 4-vjeçare’

Azia

'Pse më propozoi ISIS-i ta vrisja vajzën time 4-vjeçare’

Më: 31 mars 2017 Në ora: 16:29
Hawra, Irak

“Dua mamin”, mërmërin Hawra ndërsa përkundet në krahët e gjyshes së saj, Aliya në Erbil, Irak. Buzët e vogëlushes 4 vjeç e gjysëm mezi lëvizin për të formuar me të dobët dhe të dëshpëruar këtë lutje, shkruan CNN.

Fytyra e saj është e mbuluar me plagë të vogla, një garzë i rrethon fytin e njomë dhe këmbën për djegiet që ende duan kohë për t’u shëruar. Ajo nuk mund të hapë sytë: Ka një copë predhë në njerin prej tyre, tjetri i mbyllur i shkakton shumë dhimbje. Doktorët nuk e dinë nëse ajo do të jetë në gjendje të shohë përsëri.

Gjyshja e saj është e përhumbur dhe s’ka fjalë, asaj i bien lotë.

Në një nga sulmet ajrore të 17 marsit, Hawra pësoi një thyerje këmbe dhe predha e goditi në fytyrë. Ajo mund të mos shohë më kurrë.

‘Më mirë të kisha vdekur. Më mirë të kisha vdekur se të jetoja këtë. Hawra është si një lule e njomë. Ajo do të luajë dhe të të vrapojë. Por ajo nuk ka nënë, nuk ka as sy,” thotë gjyshja.

Mamaja e Hawra-s u vra në sulmet ajrore të 17 marsit. Kishte shumë goditje ajrore nga koalicioni i drejtuar nga SHBA atë ditë në lagjen e tyre në perëndim të Mosulit, pasuar me shumë viktima civile.

Seria e sulmeve ajrore tani është nën hetim si nga SHBA-ja dhe nga Iraku. Por një ushtarak amerikan tha se deri tani nuk ka të dhëna për ndonjë gabim në sulmet ajrore të drejtuara nga amerikanët.

141 trupa u gjetën në zonën e sumit ajror më 17 mars, i tha CNN, kreu i forcave civile irakene, koloneli Mohammad Shumari. Ai shtoi se ka ende trupa nën rrënoja. Me shumë mundësi, numri i viktimave është akoma më i madh.

“Ajo ishte një vrasje në masë,” tha gjyshe Alyai përmes lotëve.

Ala’a Al-Tai, babai i Hawra, tregon si u bë rruga e tyre atë ditë. Ai tha se ishte një varg shtëpish që të çonin në një kryqëzim ku ishin mbledhur ushtarët e ISIS-it.  Shtëpitë ishin ndërlidhur me vrima, 40 cm të gjëra dhe 100 cm të larta që t’u mundësonin luftëtarëve të OSIS-it të lëviznin pa u vënë re.

Tunelet u afronin familjeve një strehë. Rreth 30 persona, gra e fëmijë, u strehuan në një shtëpi të vetme në fund të rrugës. Para se të nisnin luftimet, Hawra e vogël me nënën e saj dhe dy kushërinj përdorën këto tunele që të përshkonin tre ndërtesa dhe të ktheheshin në shtëpinë e tyre për bukë, për t’u larë dhe për të marrë ca rroba.

Rreth një duzinë ushtarë të ISIS ishin në strehë atë ditë, thotë babai i vogëlushes. Të shtënat u intensifikuan dhe filluan goditjet. “Kishte pluhur gjithandej. Nëna ime nisi të bërtiste. Gurë dhe copëra po binin sipër shtëpisë ku ndodheshim. Ajo tha shkoni shihni çfarë po ndodh.”

Tre shtëpitë në bllok ishin rrafshuar përfshirë njërën ku familja e tij ishte ende brenda. Gjithë ç’ka ai mundi të dëgjonte ishte e qara e mekut e vajzës së vogël.

“Unë munda ta dëgjoja zërin e saj, – kujton babai. – Ishte një bllok që kishte rënë mbi të. Ishte edhe një kornizë hekuri, ajo që ishte copëtuar në fytyrën e saj dhe në sy. Unë bërtitat për gruan time, hallën dhe xhaxhanë, por nuk mora përgjigje,” shkruan CNN.

“Duke e tërhequr nga rrënojat, mezi e njoha. Ishte bërë e zezë në fytyrë dhe dukej e djegur.”

Ai iu lut luftëtarëve të ISIS-it që ta lejonin ta ikte. Në vend të kësaj, një luftëtar irakian i ISIS-it i propozoi që t’ia vriste vajzën e tij të vogël, Hawra. ‘Unë mund ta qëlloj! –  tregoi babai i vogëlushes, atë që i tha xhihadisti. –  Ai më tha: “Pse do që ta shpëtosh, ajo do të vdesë gjithsesi!”

Megjithatë, ata iu lutën që kalonin përtej territorit të ISIS për të marrë ndihmë mjekësore, por babai Ala’a, tha se një egjiptian, anëtar i ISIS, që mendonte se ishte komandanti i njesisë, u tha se nuk duhej të lëviznin, sepse ISIS po i përdorte civilët si mburoja njerëzore.

Babai u përpoq ta pastronte pak Hawra-n dhe t’i jepte pak ujë. Ai tha: “E pashë gruan time ditën tjetër. Pashë këmbët e saj dhe zorrët….kështu që e mbulova me një batanije dhe u largova.”

U deshën tre ditë që forcat e sigurisë së Irakut të çlironin lagjen. Tre ditë që vajza e vogël të merrte ndihmën mjekësore. Të tjerë njerëz ndihmuan për të varrosur trupat e gruas së tij, xhaxhait dhe hallës.

…Babai pëshpërit kur kur përmend vdekjen e gruas në prezencë të Hawras, por ajo na ka dëgjuar kur po flisnim për sytë e saj: “Shiko, unë mund t’i hap,” mërmërit ajo duke përdorur gishtat e saj të vegjël për të hapur pak qepallat.

Më pas, ajo kërkon mamin, sërish.

Image
Irak
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat