Katari ndryshon ligjet anti-terror

Azia

Katari ndryshon ligjet anti-terror

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 09:49
Sheiku i Katarit Tamim bin Hamad Al-Thani

Pas këmbënguljes së një sërë shtetesh të Gjiri Persik monarkia institucionale njoftoi se do të ndryshojë ligjet anti-terror.

Sheiku i Katarit Tamim bin Hamad Al-Thani nënshkroi një dekret sipas së cilit do të krijohen dy lista kombëtare, njëra me persona të caktuar dhe tjetra me njësi terroriste. Personat e dyshuar kanë të drejtë ankimi në rast se përfshihen në një nga listat.

Po ashtu në dekret përcaktohen edhe termat "terrorist", "krim terrorist dhe njësi terroriste" si dhe "financimi i terrorizmit". Para pak kohësh SHBA kishin nënshkruar me Katarin një marrëveshje për luftimin terrorizimit. Në qendër të saj është synimi për të tharë burimet financare të terrorizmit.

Rivalët: Marrëveshja "e pamjaftueshme"

Rivalët e Katarit Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti e kishin kritikuar marrëveshjen mes Uashingtonit dhe Dohas si të pamjaftueshme dhe vendosën në fillim të qershorit saksione tregtare ndaj Katarit. Po ashtu ata ndërprenë edhe marrëdhëniet diplomatike me Dohën. Këto vende e akuzojnë Katarin për mbështetjen e grupeve terroriste dhe për afërsi tepër të madhe me kryerivalin e tyre Iranin.

Image
Rex Tillerson dhe sheiku i Katarit Tamim bin Hamad Al-Thani

Katër vendet e mësipërme i paraqitën Katarit një listë me 13 kërkesa, ndër të tjera edhe mbylljen e stacionit televiziv Al-Xhazira, por Katari i hodhi poshtë ato.

"Fake News nga Emiratet e Bashkuara Arabe"

Shkaku zyrtar i bllokadës qe një lajm i agjencisë së lajmeve të Katarit QNA, i botuar në fund të majit, në të cilin sheiku Tamim citohet me fjalë lavdëruese për Iranin dhe Hamasin.

Katari deklaroi tani se ky lajm ishte i gabuar "fake news" dhe se atë e kishte postuar në faqen e internetit të agjencisë QNA një haker nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Një lajm të ngjashëm kishte botuar disa ditë më parë edhe gazeta "Washington Post", e cila u referohej punonjësve të shërbimeve sekrete.

Ambasadori i Katarit në Berlin, sheiku Saud bin Abdurrahman Al-Thani, tha se është zhgënjyese që një nga shtetet që i bëjnë bllokadë Katarit është i lidhur me këtë ngjarje dhe se kriza duhet të zgjidhet sa më shpejt-/DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat