Vrasja e dy ushtarakëve amerikanë, reagimi i rrallë i gjeneralit pakistanez

Azia

Vrasja e dy ushtarakëve amerikanë, reagimi i rrallë i gjeneralit pakistanez

Më: 3 gusht 2017 Në ora: 21:48
Alice Wells gjatë vizitës në Pakistan

Në një lëvizje të pazakontë, shefi ushtarak i Pakistanit dënoi të enjten duke e vlerësuar si terrorizëm sulmin taleban në Afganistanin fqinj, në të cilin u vranë dy pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane dhe katër të tjerë u plagosën.

Komenti i gjeneralit Qamar Javed Bajwa që dënonte sulmin, erdhi në një ditë kur i dërguari i posaçëm i SHBA për rajonin Alice Wells, nisi një vizitë zyrtare dy ditore në Islamabad, për të diskutuar ndër të tjera çështje dhe mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur afgan.

"Ne e kuptojmë plotësisht humbjen dhe dhimbjen e familjarëve të viktimave, ndërsa Pakistani po përjeton një situatë të ngjashme me dhunë në luftën kundër kërcënimit të përbashkët terrorist", thuhet në një deklaratë të ushtrisë pakistaneze që citon gjeneralin pakistanez.

Gjenerali pakistanez ofroi ngushëllime "të përzemërta" për vdekjen e dy ushtarëve amerikanë.

Talebanët islamikë e morën menjëherë përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës me autobombë në qytetin jugor të Afganistanit në Kandahar, ndaj një autokolone të NATO-s.

Një zëdhënës i talebanëve tha se 15 ushtarë që i përkisnin "forcave të huaja pushtuese", përfshirë dy oficerë "të rangut të lartë", u vranë. Si forcë pushtuese grupi kryengritës i referohet misionit ushtarak të NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.


Talebanët janë të njohur për fryrjen që u bëjnë shifrave që lidhen me numrin e viktimave.

Zyrtarët amerikanë dhe afganë kanë pohuar prej kohësh që ushtria pakistaneze ka mbështetur dhe strehuar fshehurazi krerët talebanë dhe anëtarët e rrjetit të Haqqanit, duke komplotuar sulme vdekjeprurëse kundër forcave vendase dhe ndërkombëtare.

Islamabadi i ka hedhur poshtë akuzat dhe thotë se po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të siguruar kufirin me Afganistanin dhe për të nxitur paqen dhe pajtimin mes palëve ndërluftuese në vendin fqinj./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat