OKB: Kërkohet lirimi i shtetasve amerikanë të burgosur në Irak

Azia

OKB: Kërkohet lirimi i shtetasve amerikanë të burgosur në Irak

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 19:50
Siamak Namazi (djathtas) dhe babai i tij Baquer Namazi që mbahen të burgosur në Iran

Grupi për të drejtat e njeriut i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga Irani lirimin e menjëhershëm të dy iraniano-amerikanëve, Siamak Namazi dhe babain e tij 81 vjeçar, Baquer Namazi, duke thënë se burgosja e tyre paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Të dy këta persona janë duke e vuajtur dënimin me burg në kohëzgjatje 10 vjeçare, për shkak të akuzave për spiunim.

Kjo kërkesë u bë në raportin prej 11 faqeve të Grupit të Punës për Burgosjet Arbitrare të Kombeve të Bashkuara, i cili nuk është publikuar zyrtarisht.

Megjithatë, Jared Genser, avokat i Siamak dhe Baquer Namazit, e ka publikuar sot këtë raport, derisa presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka arritur në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në përpjekje për të bërë presion ndaj tij.

Siamak Namazi, biznesmen me seli në Dubai, që është angazhuar për lidhje më të mira ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndodhet në burg prej 25 tetorit të vitit 2015.

Baquer Namazi, zyrtar i dikurshëm i UNICEF-it në pension, ishte burgosur në muajin shkurt të këtij viti, pasi kishte udhëtuar në Iran për të kërkuar lirimin e djalit të tij.

Ata të dy e kanë humbur procesin lidhur me ankesën e tyre ndaj dënimeve, për shkak të, siç është thënë “bashkëpunimit me qeveri armiqësore”, që do të thotë me Shtetet e Bashkuara.

“Nuk ka asgjë që indikon se ata ndonjëherë kanë vepruar kundër interesave kombëtare të Republikës Islamike të Iranit”, theksohet në raportin e Grupit të Punës për Burgosjet Arbitrare të Kombeve të Bashkuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat