Kina dërgon përfaqësues special në Korenë e Veriut

Azia

Kina dërgon përfaqësues special në Korenë e Veriut

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 09:46
Kim Young-un dhe Xi Jinping

Kina do të dërgojë të premten në Korenë e Veriut një përfaqësues special të presidentit, Xi Jinping, njoftoi sot agjencia shtetërore kineze e lajmeve Hsinhua, një ditë pas përfundimit të turneut në Azi të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili i kërkoi Pekinit të rriste presionin ndaj Phenianit.

“Song Tao, zyrtar i zyrës për lidhjet ndërkombëtare të Partisë Komuniste (PKK), është ngarkuar për të informuar Phenianin për zhvillimet lidhur me kongresin pesëvjeçar të PKK-së, që rivendosi në mes të muajit tetor Xi Jinping në krye të regjimit”, theksoi Hsinhua, pa dhënë më shumë detaje.

Ky njoftim u bë ndërkohë që Donald Trump përfundoi dje një udhëtim 12 ditor në mbarë Azinë, destinuar për rritjen e presionit përballë ambicieve bërthamore koreano-veriore, një turne i cilësuar si luftarak nga Pheniani.

Pekini, mbështetësi kryesor diplomatik dhe ekonomik i Koresë së Veriut, miratoi dhe aplikoi një sërë sanksionesh ndërkombëtare kundër Phenianit  të miratuara gjithashtu nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat