Mattis në Pakistan, kërkon të luftohet terrorizmi

Azia

Mattis në Pakistan, kërkon të luftohet terrorizmi

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 19:01
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, arrin në Islamabad, 4 dhjetor 2017.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, takoi të hënën udhëheqësit pakistanezë në Islamabad.

Uashingtoni po përpiqet të intensifikojë luftën kundër terrorizmit, ndërsa ka kritikuar Pakistanin se nuk po bën mjaftueshëm kundër grupeve kryengritëse brenda kufijve të tij.

Duke folur para takimit me Mattisin, kryeministri pakistanez, Shahid Khaqan Abbasi, tha se vendi i tij është i angazhuar në luftën kundër terrorizmit dhe se i ndan të njëjtat objektiva si Shtetet e Bashkuara.

Mattis takoi edhe ambasadorin amerikan në Islamabad, David Hale, shefin e ushtrisë pakistaneze, Qamar Javed Bajwa, si dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë dhe disa ministra.

“Kemi dëgjuar nga liderët pakistanezë se nuk e mbështesin terrorizmin. Andaj, pres që kjo të reflektohet në politikat e tyre”, tha Mattis përpara arritjes në Islambad.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Islamabadin për strehim të, siç ka thënë, “agjentëve të kaosit” dhe është zotuar se do të ndërmarrë hapa të ashpër kundër Pakistanit nëse ai nuk e ndryshon sjelljen e tij.

SHBA ka thënë në gusht se do të bllokojë 255 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Pakistanin derisa ky i fundit nuk i lufton ekstremistët që kërcënojnë Afganistanin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat