Veprimtarët e të drejtave të njeriut - të kërcënuar - Bota Sot
Veprimtarët e të drejtave të njeriut - të kërcënuar

Azia

E martë, 23 janar 2018

Veprimtarët e të drejtave të njeriut - të kërcënuar

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Gjithnjë e më shumë veprimtarë të të drejtave të njeriut e paguajnë angazhimin me jetën e tyre. Shumë kërcënohen dhe persekutohen. Ka vite që situata e të drejtave të njeriut në botë është në keqësim.

"Si mund t'u them fëmijëve ose nënës sime që gjithçka do të vejë mbarë? Ata e dinë që gënjej", thotë një Mohamed Saree tepër i tensionuar në një intervistë me video në 23 maj 2017, në ditën para daljes në gjyq në Kairo. Avokatin egjiptian të të drejtave të njeriut e akuzojnë se ka dëmtuar emrin e vendit të tij dhe se paraqet një rrezik sigurie.

"Këto janë pika të aktakuzës që mund të më çojnë 25 vjet në burg", tregon Saree në intervistë. Në ditën tjetër, Saree-në e liruan pas pagesës së një garancie, por aktakuza mbetet. Si drejtues i zyrës së Institutit të Kairos për Studime të të Drejtave të njeriut ai kishte bashkëpunuar në 2014 në raportin nacional për gjendjen e të drejtave të njeriut në Egjipt.

Çmime të të drejtave të njeriut si mbrojtje

Këtë vit, Mohamed Saree-së iu dha çmimi Martin-Ennals-Preis - një çmim i cili njihet edhe si "Çmim-Nobel i të drejtave të njeriut". "Shpresojmë se vlerësimi publik do të kontribuojë që të hiqet dorë nga padija kundër Mohamed Saree-së", thotë Michael Khambatta, drejtor i Fondacionit Martin Ennals. Juria e fondacionit përbëhet nga anëtarë të dhjetë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Puna bëhet gjithnjë e më e vështirë

"Në përgjithësi, situata e mbrojtësve të të drejtave të njeriut duket se po keqësohet", thotë Khambatta në intervistë me DW. Në një raport, Amnesty International paralajmëron se puna e mbrojtësve të të drejtave të njeriut po keqësohet prej vitesh. Shumë zhduken ose vriten - jo rrallë prej qeverive të tyre, të cilat duhet të kishin detyrimin që t'i mbronin qytetarët e tyre. Për raportin AI ka folur me të afërm të veprimtarëve të vrarë apo të zhdukur të të drejtave të njeriut. Shpesh, thotë raporti, viktimat e mëvonshme e dinin se rrezikonin jetën me punën e tyre.

Qofshin mbrojtës të ambjentit, aktivistë të të drejtave të njeriut, avokatë, gazetarë e të tjerë: çmimi i luftimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut është frikësueshëm i lartë. Në vitin 2016, në të gjithë botën u vranë 281 veprimtarë të të drejtave të njeriut, thotë Organisation Front Line Defenders. Kjo shifër është dyfishi i asaj të 2015-ës. Nuk ka shenja që këtë vit, numri të jetë më i vogël.

Populistë të rrezikshëm

Avancimi i politikanëve populistë në shumë vende të botës kontribuon në keqësimin e situatës së përgjithshme, thotë Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch.

"Të gjithë thonë se flasin për shumicën. Në shekullin e kaluar kishte disa qeveri fashiste dhe komuniste që pohonin se luftonin për shumicën, për ta shtypur pastaj popullin e tyre me mjetet më brutale të dhunës". Organizatat e të drejtave të njeriut kërkojnë nga ky shkak "të bëhet e qartë se të drejtat e njeriut janë mjeti më i mirë kundër sundimtarëve të korruptuar dhe tiranikë", thotë Roth nga Human Rights Watch./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test