Minatorët në Kazakistan refuzojnë të dalin në tokë

Azia

Minatorët në Kazakistan refuzojnë të dalin në tokë

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 10:50
Ilustrim

Dhjetëra minatorë të qymyrit në rajonin Karaghandi të Kazakistanit refuzojnë të dalin në sipërfaqe, duke kërkuar rritje të pagave.

Zyrtarë të administratës rajonale të Karaghandit thanë se rreth 200 minatorë i kanë kaluar dy net nën tokë, në katër miniera të qymyrit në qytetin Shakhtinsk.

Numri i saktë i minatorëve në grevë nuk dihet.

Zyra e guvernatorit rajonal tha se disa përfaqësues të minatorëve dhe sindikata e tyre janë duke biseduar me autoritetet lokale dhe pronarin e minierave - kompaninë ArcelorMittal Temirtau.

Zyrtarë të kompanisë i thanë Rados Evropa e Lirë se kërkesa kryesore e minatorëve është dyfishimi i pagave dhe se janë hartuar kontrata të reja që e përmbushin këtë kërkesë.

Kompania ka thënë në shtator se po negocionte një marrëveshje të re kolektive me punëtorët e çelikut dhe minatorët dhe se planifikonte ta nënshkruante atë përpara fundit të vitit.

Minatorët po ashtu duan pushim mjekësor të paguar dhe që mosha e daljes në pension të vihet në 50 vjeç.

ArcelorMittal Temirtau operon me tetë miniera në Kazakistan dhe ka prodhuar rreth 4 milionë tonelata çelik në vitin 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat