Korea e Jugut dhe Korea e Veriut bien dakord për masa riafrimi

Azia

Korea e Jugut dhe Korea e Veriut bien dakord për masa riafrimi

Më: 10 janar 2018 Në ora: 06:09
Arkiv

Zyrtarët e Koresë së Jugut njoftuan se Koreja e Veriut ka rënë dakord të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë gjatë Lojërave Olimpike që mbahen muajin e ardhshëm në Pjongçang. 

Gjithashtu, u ra dakord të fillojnë bisedime ushtarake dhe të rivendoset linja telefonike për komunikimin e drejtpërdrejtë ushtarak ndërmjet të dy vendeve.

Propozimi u bë sot në zonën kufitare asnjanëse gjatë bisedimeve mes dy vendeve rivale, të parat pas dy vjetësh.

“Koreja e Veriut tha se do të dërgojë një delegacion zyrtarësh të nivelit të lartë, anëtarë të Komitetit Olimpik Kombëtar, atletë, artistë, spektatorë dhe gazetarë për Lojërat Olimpike Dimërore”, njoftoi Chun Hae-Sung, Zëvendës Ministër i Unifikimit i Koresë së Jugut.

Qytetarët në rrugët e Phenianit shprehen se ndjehen të inkurajuar nga bisedimet mes Veriut dhe Jugut.

“Çdo korean dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve mes veriut dhe jugut. Është urgjente. Është diçka e rëndësishme që i gjithë kombi duhet ta zgjidhë duke u ulur bashkë. Çdo gjë që provokon njërën palë apo krijon pengesa për ribashkimin duhet të ndalet menjëherë”, thotë Kim Ri Ah, banore e Phenianit.

Seuli gjithashtu konfirmoi sot se Korea e Veriut ka riaktivizuar linjën e komunikimit të drejtpërdrejtë ushtarak ndërmjet dy Koreve.

Në përgjigje, Jugu do të rifillojë komunikimin normal ushtarak nga mëngjesi i nesërm.

Seuli ka propozuar gjithashtu që Veriut të rifillojë procesin e ndërprerë të ribashkimit të familjeve të ndara nga lufta.

Bisedimet e sotme thyejnë ngrirjen në marrëdhëniet ndër-koreane, të shkaktuar prej programeve bërthamore dhe raketave të Koresë së Veriut, si dhe polemikave mes udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat