Rusia ka ndihmuar Korenë V. në transportimin e thëngjillit

Azia

Rusia ka ndihmuar Korenë V. në transportimin e thëngjillit

Më: 26 janar 2018 Në ora: 13:03
Thëngjilli në Korenë Veriore, foto nga arkivi

Koreja Veriore ka eksportuar thëngjill në Japoni dhe Korenë Jugore përmes porteve ruse, duke cenuar sanksionet e Kombeve të Bashkuara ka raportuar Reuters.

Kjo agjenci e lajmeve ka cituar tri burime të inteligjencës të Evropës Perëndimore, duke mos i identifikuar.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në muajin gusht, i ka ndaluar Koresë Veriore, eksportimin e thëngjillit, për shkak të testimeve të raketave balistike të cilat shkelin sanksionet ekzistuese.

Sidoqoftë, Reueters ka raportuar duke cituar burimet, të kenë thënë se Koreja Veriore ka transportuar thëngjill në portet ruse, Nakhodka dhe Kholmsk, të paktën tri herë që nga ajo kohë.

Kjo sasi më pas është raportuar se pas dërgimit në portet ruse është bartur me anije për në Korenë Jugore dhe Japoni.

Sipas Reuters, këto transporte kanë ndodhur në tetor të vitit 2017.

Një burim i sigurisë amerikane ka konfirmuar se transportimi i thëngjillit nga Koreja Veriore përmes Rusisë është duke vazhduar, ka raportuar Reuters.

Reuters ka thënë se Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk i është përgjigjur kërkesës për të komentuar lidhur me këtë çështje.

Misioni i Rusisë në OKB, ka informuar komitetin për sanksione të Këshillit të Sigurimit në nëntor të vitit të kaluar, se Moska është duke vepruar në pajtueshmëri me sanksionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat