Irani refuzon kontrollin e jashtëm mbi programin e tij raketor

Azia

Irani refuzon kontrollin e jashtëm mbi programin e tij raketor

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 14:05
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif.

Teherani nuk do ta vendosë programin e tij të raketave nën kontroll ndërkombëtar, tha në Moskë ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, nëse Republika Islamike nuk ndalon zhvillimin e raketave balistike.

"Pse duhet ta bëjmë këtë", tha Zarif pasi u pyet nëse Irani është i gatshëm të pranojë monitorimin e jashtëm mbi programin e tij raketor.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani ka rënë dakord të frenojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

"Presidenti amerikan ka ambicie të mëdha, por ato nuk do të bëhen kurrë realitet", tha Zarif, i cili ndodhet në Moskë për takimin e Klubit Valdai të Diskutimit - një mbledhje e ekspertëve të politikës së jashtme ruse dhe ndërkombëtare.

Zarif po ashtu kritikoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për forcat kurde siriane, të cilat kundërshtojnë Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat