Më pranë se kurrë… takim historik mes Koreve

Azia

Më pranë se kurrë… takim historik mes Koreve

Më: 5 mars 2018 Në ora: 15:34
Delegacioni ndodhet në Penian për bisedime të rrallë që kanë si qëllim rifillimin e dialogut mes veriut dhe SHBA

Lideri koreanoverior, Kim Jong un ka shtruar një darkë për dy delegatët koreanojugorë, hera e parë që zyrtarë nga Seuli janë takuar me liderin e ri që kur ai mori detyrën në 2011.

Zyra e presidentit të Koresë së Jugut, konfirmoi takimin pak pas mbërritjes së delegatëve në veri, të hënën. Delegacioni ndodhet në Penian për bisedime të rrallë që kanë si qëllim rifillimin e dialogut mes veriut dhe SHBA.

Marrëdhëniet mes koreve u ngrohën disi pas lojërave olimpike dimërore. Në një lëvizje të paprecedentë delegacioni përfshiu dy të dërguar në nivel ministerial, shefin e inteligjencës Suh Hoon dhe këshilltarin për sigurinë kombëtare Chung Eui Yong.

Radioja shtetërore koreanoveriore tha se delegacionet u takuan nga Ri Son Gwon, shefi koreanoverior për ribashkimin, që kryesoi bisedimet në javët para lojërave olimpike. Gjatë vizitës dy ditore, grupi koreanojugor do të fokusohet tek krijimi i kushteve për bisedime që synojnë të ndalin programin bërthamor të vendit si edhe dialogun mes SHBA dhe Penianit.

Vetë presidenti amerikan, Donald Trump tha të shtunën se SHBA do të ishte e gatshme për tu takuar me Korenë e Veriut, por përsëriti se Peniani më parë duhet të denuklearizohet. Sidoqoftë, Koreja e Veriut që ka thënë se do të bisedojë me SHBA, tha se është prepotencë fakti që Uashingtoni insiston në parakushte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat