Tetë ushtarë të vdekur nga sulmi në Gadishullin Sinai

Azia

Tetë ushtarë të vdekur nga sulmi në Gadishullin Sinai

Më: 14 prill 2018 Në ora: 13:16
Ushtarët e Egjiptit në operacion kundër militantëve, foto nga arkivi.

Tetë ushtarë egjiptianë dhe 14 militantë janë vrarë në luftimet në qendër të Sinait, pasi disa sulmues me jelekë shpërthyes dhe granata kanë shënjestuar një bazë ushtarake, ka thënë ushtria, njofton Reuters.

Ky është cilësuar sulmi më i madh kundër forcave të sigurisë së Egjiptit prej kur presidenti, Abdel Fattah al-Sisi, ka fituar një mandat të dytë muajin e kaluar, duke premtuar se do të punojë në stabilitetin dhe sigurinë në Egjipt.

Ky sulm ka ardhur vetëm disa orë pasi shteti ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme të vënë një vit më parë.

Militantët kanë sulmuar zonën ushtarake, është thënë përmes një deklarate nga ushtria.

Ata kanë aktivizuar jelekët e tyre shpërthyes, duke lënë të vdekur tetë ushtarë dhe duke plagosur 15 të tjerë.

Egjipti është duke luftuar kryengritjen islamiste në Gadishullin Sinai, prej kur Sisi ka rrëzuar nga pushteti Mohamed Mursin nga Vllazëria Myslimane më 2013.

Në muajin nëntor, presidenti Sisi ka urdhëruar ushtrinë që të luftojnë militantët në veri të Sinait brenda tre muajve, pas sulmit në një xhami që ka lënë të vdekur më shumë se 300 persona. Ky incident është cilësuar si sulmi më i përgjakshëm në vendin më të populluar në botën Arabe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat