Ushtria siriane paralajmëron banorët e Idlibit: Rrini larg xhihadistëve!

Azia

Ushtria siriane paralajmëron banorët e Idlibit: Rrini larg xhihadistëve!

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 18:26
Idlib, Siri

Ushtria e Sirisë i paralajmëroi të premten banorët në Idlib - bastionin e fundit që kontrollohet nga rebelët - që të qëndrojnë larg xhihadistëve, që duhet të ikin nga zona e sigurt, përpara se të skadojë afati.

Muajin e kaluar, Rusia, aleate e regjimit sirian, dhe Turqia, aleate e disa fraksioneve rebele, kanë krijuar një zonë të çmilitarizuar përreth Idlibit, për të shmangur një ofensivë masive të forccave qeveritare në provincën me rreth tre milionë banorë.

Zona e çmilitarizuar është thënë se synon të shmangë katastrofën humanitare.

Por, xhihadistët, të cilët, në bazë të marrëveshjes duhet të largohen nga zona e sigurt deri të hënën, nuk kanë treguar asnjë shenjë të ikjes.

Banorët në zonë kanë marrë mesazhe në telefonat e tyre mobilë nga ushtria siriane.

"Largohuni nga luftëtarët! Mos lejoni që terroristët t'ju marrin si mburoja njerëzore", u tha në mesazhet e dërguara, raportojnë agjencitë e lajmeve.

Forca dominante e Idlibit, që është një aleancë e udhëhequr nga ish-bashkëpunëtorët e Al-Kaidës, dhe fraksionet e tjera xhihadiste kontrollojnë më shumë se dy të tretat e provincës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat