Kosova ia bën Uellsit me zi se Gjibraltarit

Basketboll

Kosova ia bën Uellsit me zi se Gjibraltarit

Nga: Kemajl Goca Më: 13 korrik 2016 Në ora: 14:44
Pamje nga takimi Uellsi-Kosova

Kosova U-18 shënoi fitore të thellë me rezultat 71:31 (17:9, 20:8, 22:12, 12:2) kundër Uellsit U-18, në  ndeshjen që u zhvillua për vend të pestë në Kampionatin Evropian në basketboll (femrat), Divizioni C.  Ndeshja është zhvilluar në palestrën “New Sports Palace” në Tbilisi të Gjeorgjisë.  Vetëm në çerekun e parë basketbollistet e Uellsit u treguan të denjë ndaj vashave tona, por jo edhe të shtojnë presionin në rezultat. Në çerekun e parë, Kosova krijoi epërsi deri në tetë pikë (17:9), por në minutat vijues kontrolluan lojën pa asnjë problem dhe krijuan epërsi bindëse. Basketbollistja Adea Kastrati, sërish ka qenë protagonistja e kësaj sfide. Ajo  bëri paraqitje të shkëlqyeshme së bashku me Aulona Muhadrin. Kastrati, në pozitën e organizatores tregoi klasin e saj, duke shënuar 24 pikë, e ndihmuar nga Muhadri me 13 sosh, i shkaktuan debakël Uellsit. Në çerekun e fundit, Kosova luajti një mbrojtje shumë të fortë, ku rivalja nuk arriti të shënojë më shumë se dy pikë. Kosova ia bëri Uesllit me zi se Gjibraltarit, ku edhe këtë të fundit e kishte mundur me rezultat bindës 79:31.  

Uellsi-Kosova 31:71

Edwards, Evans, Wall, Thomas, Stradling 8, Skinner, Francis, Mcloughlin 7, Davies 6, Williams 6, Baker – Rees 4 dhe Wilson-Morgan.

Kosova: Halitaj 5, Kastrati 24, Hoda 2, Daku 8, Muhadri 13, Kelmendi 5, Rexhaj 4, Ukella 6, Zeka, Sahiti 4 dhe Medunjanin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat