Lojtari i Barcelonës stërvit me kombëtaren e Kosovës

Basketboll

Lojtari i Barcelonës stërvit me kombëtaren e Kosovës

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 16:37
Pamje nga stërvitja

Kombëtarja e Kosovës në basketboll është në vlugun e përgatitjeve për kualifikimet historike për Eurobasket 2017. Së fundi Kombëtares në përgatitjet e përbashkëta u është bashkangjitur edhe amerikani, Justin Doellman, basketbollist i klubit me renome evropiane dhe botërore, FC Barcelona. Ditë më parë Doellman me skuadrën spanjolle e ka vazhduar kontratën edhe për tre vjet të tjera. Doellman të mërkurën mbrëma ka zbarkuar në Prishtinë, ndërsa menjëherë të enjten në mëngjes e ka zhvilluar stërvitjen e parë me Kombëtaren e Kosovës. Ndërkaq të martën stërvitjeve të ekipit u është bashkangjitur edhe një tjetër basketbollist amerikan. Bëhet fjalë për Shawn Jones. Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Arben Krasniqi është shprehur i kënaqur me rrjedhën e përgatitjeve, por edhe me basketbollistët që i ka në dispozicion. “Tashmë grumbullimit të Kombëtares i janë bashkangjitur edhe Jones dhe Doellman. Bëhet fjalë për lojtarë të klasit botëror. Unë pres që ata shumë shpejt të komponohen me pjesën tjetër të ekipit. Sa i përket përgatitjeve gjithçka ka shkuar sipas planit të paraparë dhe tashmë presim që javën e ardhshme të fillojmë më ndeshjet miqësore, ku ne shtabi teknik do të kemi rastin t’i shohim lojtarët, por edhe ekipin në tërësi se si po funksionojnë së bashku. Janë në pyetje rreth 10 ndeshje miqësore me kundërshtarë mjaft të fortë. Jemi optimistë se do të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këtë frymë pozitive deri në start të kualifikimeve historike për Kosovën”, ka deklaruar Krasniqi për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës. Duhet theksuar se Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luaj kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht. Ndërkaq ndeshjen e dytë Kosova do ta luaj si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvilloj si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat