Berisha: Kemi ende punë për të bërë deri te sfida me Slloveninë

Basketboll

Berisha: Kemi ende punë për të bërë deri te sfida me Slloveninë

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 15:48
Dardan Berisha gjatë një veprimi

Kombëtarja e Kosovës në basketboll është në vlugun e përgatitjeve për kualifikimet për Eurobasket 2017.

Ditë më parë Kosova është kthyer nga Como e Italisë ku ka marr pjesë në një turne në të cilin i ka zhvilluar gjithsej 5 ndeshje miqësore, ndërsa ka regjistruar 4 fitore e 1 humbje kundër Universiteteve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më parë Kosova si mysafire në Tallinn është mposhtur nga Estonia në dy miqësoret e zhvilluara me këtë skuadër, por që ka lënë shumë përshtypje të mira në këto përballje.

Dhe pas 7 miqësoreve të zhvilluara deri më tani me bilanc prej 4 fitore e 3 humbje, njëri ndër bartësit kyç të lojës së Kombëtares së Kosovës, Dardan Berisha mendon se skuadra ka bërë një punë shumë të mirë në fazën përgatitore për kualifikimet historike për Kampionatin Evropian.

“Kuptohet se kundërshtarët tanë të miqësoreve nuk janë të nivelit të kundërshtarëve tanë në Grupin E në kualifikimet për Eurobasket 2017, por në këto miqësore mendoj se ne e kemi bërë një punë shumë të mirë, ku çfarë është më e rëndësishmja është se kemi arritur të komponohemi si ekip. Kemi luajtur mirë në të gjitha ndeshjet miqësore në Itali, edhe në atë që e kemi humbur në vazhdime, ndërsa të gjithë e dimë se niveli i basketbollit të Universiteteve në SHBA është shumë i lartë, andaj edhe duhet të kënaqemi me gjithë atë çfarë kemi treguar në parket. Tani jemi kthyer në Prishtinë për të stërvitur, derisa në fillim të javës së ardhshme do të udhëtojmë për në Qipro ku do t’i luajmë dy miqësoret e fundit, kundër Katarit dhe Qipros para ndeshjes së parë kualifikuese kundër Sllovenisë”, ka deklaruar Berisha.

Në vazhdim 11-shja e Kombëtares së Kosovës ka thënë se pret që skuadra të jetë në nivelin e kërkuar për ballafaqimet me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë në kualifikimet për Kampionatin Evropian.

“Kjo është hera e parë që ne do të marrim pjesë në kualifikime dhe mendoj se kemi arritur të mobilizohemi shumë mirë në çdo aspekt në mënyrë që të kemi paraqitje sa më të mira në të gjitha ndeshjet si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kemi ende punë për të bërë deri në duelin e parë me Slloveninë, por unë mendoj dhe jam i bindur se do të lëmë shumë përshtypje të mira në këto kualifikime, duke u nisur gjithnjë nga fakti se ky është debutimi i Kosovës në kualifikime për Kampionat Evropian. Jemi në ndërtim e sipër të një skuadre shumë të mirë, me basketbollistë cilësor dhe tani vetëm duhet të vazhdojmë të punojmë në ngritjen e formës në mënyrë që të luajmë sa më mirë që të mundemi. Grupi ynë në kualifikime është shumë i vështirë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë, por unë besoj në këtë grup që e kemi krijuar, andaj edhe premtoj se do të angazhohemi maksimalisht dhe do të luftojmë për çdo top në fushë”, ka theksuar Berisha.

Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luaj kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht. Ndërkaq ndeshjen e dytë Kosova do ta luaj si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvilloj si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat