Sportistja shqiptare e martuar me nigerian, ka synime të mëdha

Basketboll

Sportistja shqiptare e martuar me nigerian, ka synime të mëdha

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 21 gusht 2016 Në ora: 15:30
Fabiola Përmeti, bashkëshorti Innocent Emmanuel dhe fëmija i saj

Basketbollistja shqiptare, Fabiola Përmeti, tash e tri vjet është e martuar me një nigerian por që ka nënshtetësi edhe kanadeze dhe po kalojnë fortë mirë. Ajo ka një vajzë simpatike, e cila quhet Hannah, kurse bashkëshorti Innocent Emmanuel, i cili është basketbollist dhe një kohë luajti për Tiranën. Fabiola luan si anësore dhe është anëtare e ekipit nga Durrësi, “Goga Basket” si dhe e kombëtares së Shqipërisë, ka synime të mëdha për edicionin e ri në Kampionatin Shqiptar.  Fabiola është nga Tirana, e cila në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” flet për karrierën e saj sportive, për jetën me bashkëshortin nigerian, si u njohën me të, çfarë i pëlqen në shtetin nigerian, sa është vështirë të jesh nënë dhe sportiste etj.

“Bota sot”: Cilat janë synimet për edicionin e ri?

Fabiola Permeti: Normal që synojmë titullin kampion. Vjet fatkeqësisht dolëm në vend të dytë. Pasi dolëm në finale (2:2) dhe në ndeshjen e tretë me pak pikë pësuam. Kështu që këtë vit do të mbledhim të gjitha forcat dhe jam shumë optimiste se do t’ia arrijmë qëllimit.

“Bota sot”: Fabiola, një kohë ishit edhe në Kosovë si basketbolliste e Prishtinës, çfarë përshtypje kishit për Kosovën?

Fabiola Permeti: Kosovën e dua shumë! Me kanë pritur shumë mirë atje, edhe pas gjithë këtyre viteve unë vazhdoj të kem akoma shumë shoqëri me lojtaret e ekipit të Prishtinës madje edhe takohemi sa herë ato vijnë në Tiranë apo sa herë kam pasur unë mundësi të shkoj atje.

“Bota sot”: Cilat ekipet janë rivale më të mëdhenj për titull në Shqipëri?

Fabiola Permeti:  Ekipit i Tiranës dhe ai i Flamurtarit (Vlora).

“Bota sot”: Jeni e martuar dhe nënë e një vajze. Sa është e vështirë të jesh edhe sportiste, edhe nënë?

Fabiola Permeti: Nuk është e lehtë por fal ndihmës së mamas time që me ndihmon shumë me time bij kam arritur të bëj te dyja në të njëjtën kohë, por përveç pjesës së vështirë nuk ka gjë më të bukur sesa kur sheh fëmijën tënd të bej tifo për Ty, ndërkohë që luan dhe të motivon për të ecur përpara. Për bashkëshortin tim mund të them që është motivimi im dhe trajneri im i dytë, pasi është basketbollist gjithashtu pavarësisht faktit që ka pauzë të vogël për momentin fal një dëmtimi.

Image
Fabiola Përmeti

“Bota sot”: Bashkëshorti...

Fabiola Permeti:  Ai ka nënshtetësi nigeriane dhe kanadeze në të njëjtën kohë. Pas çdo ndeshje ai është pranë meje duke analizuar dhe përgëzuar çdo ndeshje dhe përformancën time. Ndihem shumë me fat që e kam në krah, sepse është krahun im i djathtë. Ai ka luajtur për ekipin e Tiranës, përpara se ai të dëmtohej.

“Bota sot”: Si u njohët?

Fabiola Permeti:  Por bashkë jemi njohur në Qipro ku ai luante për ekipin Yakin Dogu. Të njëjtin ekip që unë luaja.

“Bota sot”: Sa iu ndihmon bashkëshorti, a keni përkrahjen dhe mirëkuptimin e tij?

Fabiola Permeti: Ai është aty për mua në çdo aspekt, përkrahja e tij është 100 për qind si me vajzën tonë ashtu edhe me basketbollin.  Shpesh herë dalim në fundjavë dhe i kërkoj të me mësojë gjithmonë ato lëvizje që un ia admiroja si lojtar para se ne të krijonim një lidhje bashkë.

“Bota sot”: Bashkëshorti është nga Nigeria, a jetoni së bashku në Tiranë apo edhe ndonjëherë në Nigeri?

Fabiola Permeti:  Im shoq ka lindur dhe është rritur në Kanada edhe pse prindërit i ka nigerian. Ne për momentin po jetojmë në Tiranë. Por sa jemi kthyer nga Nigeria, pasi kaluam tri javë atje, sepse edhe unë edhe ai e duam shumë atë vend.

“Bota sot”: Sa ishte e vështirë të jetohet në Nigeri, çfarë iu la përshtypje më shumë?

Fabiola Permeti:  Vështirësi? Nuk besoj se do me pëlqente po të kishte vështirësi, vendi është shumë i bukur. Mua me pëlqen shumë qyteti i Abuja-s. Dhe me ka lënë përshtypje shumë të mirë vjet si njerëzit ashtu edhe vendi dhe kjo më bëri të rikthehesha përsëri sivjet atje.

“Bota sot”: Përveç me basketboll, punoni diçka, ndërsa bashkëshorti me çfarë merret?

Fabiola Permeti:  Unë jo, pasi vajza ka nevojë akoma për përkujdesjen time. Por im shoq, pasi për momentin nuk mund të luaj, ai është këshilltar financiar në një kompani kanadeze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat