Përse FIBA Evropa e përgëzon FBK-në?

Basketboll

Përse FIBA Evropa e përgëzon FBK-në?

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 11:46
Pamje nga kampi

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është përgëzuar nga FIBA Evropa për punën e bërë në projektin për Zhvillimin e Gjeneratave të Reja të ashtuquajtur “New Generation Development Project” për edicionin 2015/16.

FBK pati aplikuar për këtë projekt në FIBA Evropa në fillim të vitit të kaluar, ndërsa në muajin gusht e pati marr miratimin nga ky institucion. FIBA Evropa e pati mbështetur FBK-në për implementimin e këtij projekti me shumën prej 24,900.00 euro, të cilat kanë qenë të dedikuara për zhvillimin dhe fuqizimin e ligave të grupmoshave U-12 dhe U-14 (djem dhe vajza), pastaj gjyqtarëve dhe trajnerëve të rinj perspektiv, si dhe në kuadër të këtij projekti FBK ka organizuar dy kampe në të cilat kanë marr pjesë gjithsej rreth 500 fëmijë nga e gjithë Kosova dhe rreth 30 trajnerë në të dyja konkurrencat.

Në fakt FIBA Evropa e ka përkrahur 2/3 e këtij projekti, pasi që të hollat e tjera FBK i ka siguruar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), më saktësisht nga programi për zhvillimin e gjeneratave të reja.

"Në emër të FIBA Evropës ne duam t'ju shprehim mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për Federatën tuaj për mbështetjen dhe përkushtimin që ju keni e dhënë në projektin për Zhvillimin e Gjeneratave të Reja. Ky projekt ka qenë shumë ambicioz, por me entuziazmin dhe punën tuaj të madhe, ne jemi të sigurt se ky projekt do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm dhe do të ndihmoj për zhvillimin e ardhshëm të basketbollit kosovar. Ne me padurim i presim bashkëpunimet tona të ngushta në të ardhmen dhe ne shpresojmë të shohim rezultatet e këtij projekti në një të ardhme të afërt", ka shkruar në letrën e dërguar në FBK, Elisabeth Cebrian, përgjegjëse e projekteve të gjeneratave të reja në FIBA Evropa.

Duhet theksuar se FBK në vazhdimësi i ka raportuar FIBA Evropës për punën që është bërë në implementimin e këtij projekti, ndërsa së fundi janë dërguar edhe raportet përfundimtare, si ato të punës dhe financiare, me të cilat FIBA Evropa është ndarë shumë e kënaqur.

FIBA dhe FIBA Evropa edhe këtë vit e kanë mbështetur FBK-në dhe punën e saj me gjenerata të reja, duke e inkuadruar në një program edhe më të madh, kësaj radhe me grupmoshën U-14 (meshkujt). Bëhet fjalë për Kampin që udhëhiqet nga Federata e Basketbollit e Turqisë, ndërsa partnerë të saj janë Kosova, Maqedonia, Rumania dhe Bullgaria.

Në kuadër të këtij projekti FBK e ka organizuar Kampin në Prishtinë për grupmoshën U-14, ku së pari janë përzgjedhur  60 fëmijë që kanë punuar për 5 ditë me koordinatorin e këtij projekti, trajnerin amerikan Chris Dial dhe me 12 trajnerë vendor, ndërsa pas përfundimit të këtij Kampi janë përzgjedhur 30 fëmijë dhe 6 trajnerë, të cilët prej 28 gusht deri më 2 shtator 2016 do të marrin pjesë në Kampin që do të organizohet në Mangalia të Rumanisë, ku gjithashtu do të jenë edhe fëmijët e shteteve të lartëpërmendura.

Ky projekt më pas do të vazhdoj me aktivitete të tjera, ku trajnerët do të marrin pjesë në klinika të ndryshme, ndërsa për fëmijët do të organizohen edhe turne nëpër shtetet si Kosovë, Maqedoni, Rumani, Bullgari dhe Turqi. Projekti është dyvjecar, 2016/17, ndërsa për interes e ka zhvillimin e basketbollit ndër grupmosha të reja, por me theks të vecantë edhe zhvillimin e trajnerëve të rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat