Sinani shpreson ta mposhtin Kumanovën

Basketboll

Sinani shpreson ta mposhtin Kumanovën

Nga: Kemajl Goca Më: 19 tetor 2016 Në ora: 12:11
Gazmend Sinani

Bashkimi nuk e kishte nisur mirë edicionin e ri në Ligën Ballkanike. Ata në sfidën e parë ishin mundur me rezultat 80:63 nga Kozuv-i në Gjevgjeli.  Ajo humbje qoftë e harruar për ekipin prizrenas, të cilët sonte (në orën 19.00) do të futen në fushë të mobilizuar si asnjëherë më parë për fitore ndaj ekipit tjetër nga Maqedonia, Kumanova, në kuadër të xhiros së dytë të grupit B. Basketbollistët e Bashkimit janë të përgatitur mjaft mirë dhe të motivuar pas dy fitoreve rresht në Kampionatin e Kosovës, tani synojnë të parën në Ligën Ballkanike. Basketbollisti Gazmend Sinani shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot” se Kumanova ka një ekip të mirë. “Kumanova e ka ekipin me eksperiencë të madhe, por nëse ne luajmë si kundër Prishtinës, besoj se mundemi t’i mposhtemi të gjithat ekipet. Kështu që synimi ynë është të tregojmë lojën tonë dhe të arrijmë fitore, për t’i gëzuar tifozët tanë”, thotë Sinani.  Ai më tutje thotë se përkrahja e madhe e shikuesve do të jetë edhe motiv shtesë për këtë ndeshje të vështirë. “Arma jonë më e fortë është mbrojtja dhe angazhimi i mençur në sulm,  nëse luajmë me vëmendje, çdo gjë do të shkojë sipas planit.  Rikthimi i shikuesve ‘Arpagjikëve’ në palestër do të na ndihmojë shumë”, theksoi basketbollisti. A jeni komplet dhe a besoni se përparësia e fushës do të jetë aleati më i fortë? “Jemi të komponuar mirë, të përgatitur në çdo pikëpamje për këtë ndeshje. Sepse kemi pasur kohë të përgatitem sa më mirë edhe pas ndeshjes së lehtë që patëm në kampionatin tonë, kundër Kerasan Prishtinës”, shprehet ai. Grupi B është mjaft i fortë, për faktin se garojnë Sigal Prishtina, Kozuv, Beroe, Kumanova dhe Tivati.  Sinani shpreson se do të arrijnë të jenë në katër vendet e para, plasman që siguron kualifikimin në rrethin tjetër. Ai tha se për këtë po mundohen dhe sipas tij, duhet me çdo kusht me fituar ballafaqimin me Kumanovën.  Në palestrën e sportit në Prizren pritet të tubohen sa më shumë shikues në përkrahje të skuadrës së zemrës. Përderisa Bashkimi në hapje kishte pësuar nga Kozuv, Kumanova vjen paksa më e qetë pas triumfit në start me tri pikë dallim (78:75) kundër ekipit nga Mali i Zi, Tivat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat