NBA, Butler stratosferik, San Antonio nuk ndalet

Basketboll

NBA, Butler stratosferik, San Antonio nuk ndalet

Më: 8 janar 2017 Në ora: 12:23
Butler

Chicago Bulls dhe i përhershmi Jimy Butler shkëlqejnë në mbrëmjen e NBA duke siguruar një fitore shumë të rëndësishme ndaj Toronto Raptors, 123-118 në kohën shtesë. 19 pikët e qëndrës së “Demave” në periodën e tretë rezultuan vendimtare për fatet e përballjes ku Butler e mbylli ndeshjen me 42 pikë, ndërsa në krahun tjetër, DeMar DeRozan nuk arriti të ndihmonte ekipin kanadez edhe pse regjistroi 36 pikë. Ndeshja u ndez në kohën shtesë kur Butler me një 3 pikësh e çoi ndeshjen në shifrat 114-111, ndërsa ishte McDermott ai që thelloi avantazhin duke i siguruar Chicagos një sukses që e mban në vendin e tetë të Lindjes.

Në San Antonio, Spurs-at nuk hasën asnjë vështirësi për të kaluar me rezultatin 102-85 Charlotte Hornets. Vendasit e bënë diferencën në pjesën e dytë të ndeshjes. Kjo është fitorja e 30 sezonale për skuadrën teksane, ndërsa në krahun tjetër, Charlotte regjistroi humbjen e 10 rresht në sezon të rregullt përballë skuadrës së Popovich. Takimi ishte i ekuilibruar deri në barazimin 60-60 por më pas në “AT & T Center” kishte vetëm një skuadër dhe ajo ishte San Antonio që bllokoi me saktësi lojtarët kundërshtarë duke e detyruar Kemba Walker të limitohej në kuotën e 18 pikëve. Fitorja e mban San Antonion në vendin e dytë të perëndimit me vetëm një sukses më shumë se Houston Rockets ku Charlotte do të udhëtojë ndeshjen e radhës.

Në Oklahoma, i përhershmi Rusell Westbrook shkëlqeu në suksesin 121-106 ndaj Denver Nuggets. Shtatlarti i City Thunder regjistroi “triple double” numër 17 gjatë këtij sezoni me 32 pikë, 17 ribaunde dhe 11 asiste. Thjesht fenomenal Westbrook, ndërsa Oklahoma siguron një fitore të rëndësishme duke konsoliduar pozitat në vendin e shtatë dhe tashmë shënjestron pozicionin e gjashtë të perëndimit aty ku ndodhet Memphis me vetëm një fitore më shumë.

Ndërkohë, New York reflekton lodhjen fizike pasi suksesi ndaj Milëaukee u reflektua në këmbët e lojtarëve njujorkezë në sfidën kundër Indianas që triumfoi 123-109. Vendasit e ndërtuan suksesin në periodën e katërt ku realizuan 33 pikë, ndërsa në krahun tjetër, Kristaps Porzingis nuk arriti të çante mbrojtjen e Pacers. Në takimin tjetër mes Utah Jazz dhe Minesotta Timberwolves, ishte skuadra nga Salt Lake City që triumfoi me rezultatin 94-92 duke përfituar edhe nga rikthimi i George Hill, i cili i dha një dorë të madhe ekipit në këtë sukses me 19 pikët e tij personale. Rrugëtimin e rezultateve pozitive e vazhdojnë edhe Boston që kaloi 117-108 New Orleans dhe Atlanta që dominoi në fushën e Dallas 97-82.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat