Sprovë për Prishtinën

Basketboll

Sprovë për Prishtinën

Më: 9 janar 2017 Në ora: 15:42
Basketbollistët e Sigal Prishtinës

Të martën me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Sigal Prishtina është nikoqire e Beroe-s nga Stara Zagora e Bullgarisë.

Kjo ndeshje i takon xhiros së gjashtë të Grupit A në Ligën Ballkanike (BIBL), por që në atëkohë (muajin nëntor 2016) bardhekaltrit nuk kanë mundur ta zhvillojnë për shkak të angazhimeve në garat e FIBA Europe Cup.

Në ballafaqimin e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave të luajtur në start të edicionit të ri në BIBL, fitore pati realizuar klubi bullgar si vendas me rezultat 86:71.

Beroe aktualisht zë pozitën e katërt në tabelën e Grupit A me 4 fitore e 3 humbje dhe ende është në garë për të siguruar një vend në fazën e dytë të Ligës Ballkanike, ngjashëm si kampionët në fuqi të BIBL-it, të cilët pavarësisht bilancit jo edhe aq të mirë (2 fitore e 4 humbje) kanë ende ndeshje për të zhvilluar, si dhe shpresë për kualifikim tutje, raporton Federata e Basketbollit e Kosovës. 

Duhet theksuar se Sigal Prishtina në vitin 2017 ka bërë ndryshime në përbërje me lojtarë të huaj dhe vendorë, ndërsa pozita e kryetrajnerit ende ka mbetur e pambuluar pas largimit të Jeronimo Sarin, ndërsa ndeshjet do të udhëhiqen nga ndihmësit, Arben Nixha e Andin Rashica. Me ndryshimet në përberje dhe me mobilizimin në të gjitha aspektet, pritet që skuadra nga kryeqyteti të startoj në mënyrën më të mirë të mundshme këtë vit.

Ndërkaq të mërkurën në palestrën "Minatori" në Mitrovicë do të zhvillohet derbi kosovar në BIBL në kuadër të Grupit B, ku Trepça e pret Pejën duke filluar nga ora 19:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat