Zykaj: Një periudhë ngërçi

Basketboll

Zykaj: Një periudhë ngërçi

Më: 11 janar 2017 Në ora: 13:15
Elektra Zykaj

Ato dy humbjet radhazi, të pësuara pikërisht në fundin e fazës së parë, përveçse i kushtuan vendin e parë në renditje, i lëkundën disi pozitat e Flamurtarit në basketboll për femra në garën për titullin “kampion”. Deri në javën e 7-të, skuadra kampione e drejtuar nga trajneri Viron Toska ishte e pathyeshme dhe, më pas, nisën dy “bllof”-et me skuadrat direkte për trofeun e vitit. Fillimisht vlonjatet u ndalën në fushën e tyre nga Tirana me rezultatin e përgjithshëm 87:90 dhe, më pas, të njëjtin fat patën në vizitën durrsake me Goga Basket 69:63. Ndonëse epilogu i fazës së parë e zbret Flamurtarin të tretën në klasifikim pas Tiranës kryesuese dhe Goga Basket, për titullaren e vlonjateve Elektra Zykaj, nuk ka vend për panik. Ndonëse e pranon se skuadra mund të jetë nën presion pas dy humbjeve radhazi, në një prononcim për “Panorama Sport”, basketbollistja thekson se do të rikthehet në vazhdim të kampionatit më e fortë se kurrë. “Mund të them se skuadra nuk ka qenë në periudhën e saj më të mirë”, – ka deklaruar ajo.

“Nuk besoj se ka pasur mungesë përqendrimi apo eufori në fundin e fazës së parë, – ka vijuar Zykaj. “Ne kemi shumë vite që fitojmë dhe euforia nuk ka ekzistuar në skuadër. Vetëm mund të them se ishte një periudhë ngërçi që ne kaluam. Plus, edhe pak gabime që bëmë, dhe të gjitha bashkë u pasuan me dy humbjet e pësuara. Ne e mbyllëm keq vitin 2016, por të mos harrojmë që kampionati është i gjatë. Skuadrës sonë mund edhe t’i rrëshqasë pak këmba ashtu siç na ndodhi që humbëm kreun, por jam e bindur që të rikthehemi më të forta se kurrë.” “Nën presion edhe mund të jemi, por kemi treguar që presionin mund ta përballojmë dhe kemi dalë fitues, – ka vijuar basketbollistja e Kombëtares së koshit të femrave. – Shpresoj të ndodhë edhe këtë vit kështu. Ndeshjet kryesore i kemi në fund të fazës së dytë dhe kemi shumë kohë përpara.” Ndërsa sulmi i fundit i skuadrave në merkato është në fazën e “play off”-it, Zykaj nuk përjashton as surprizat. “Ne gjithmonë kemi qenë ekip i surprizave, por asgjë nuk di për momentin”, – ka pohuar ajo. ‘Play off’-i është momenti që bëhen lëvizjet përfundimtare në kampionati, ndaj mbetet për t’u parë”. Në këtë fundvit Zykaj ka pasur edhe fatin kundër me dëmtimet. “Forma ime sportive do të vlerësohet në ditët në vazhdim, – ka zbuluar ajo për të përditshmen në fjalë. – Kam filluar stërvitje gjithashtu edhe individuale. Për fundin e 2016-ës nuk kam shumë për të folur, sepse nuk kam qenë në 100-përqindëshin tim, por për këtë fazë që po vjen jam duke u përgatitur intensivisht”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat