NBA në Londër, Denver dhuron spektakël

Basketboll

NBA në Londër, Denver dhuron spektakël

Më: 13 janar 2017 Në ora: 18:35
NBA

Londra i mirëpret për ndeshjen globale, Denver dhe Indiana dhurojnë spektakël. Përfundoi me fitoren fantastike të Nuggets ndeshja e 7-t në historinë e Nba e luajtur në impiantin O2 Arena të kryeqytetit anglez. Denver kaloi Indiana Pacers me shifrat e thella 140-112 duke regjistruar fitoren numër 15 në këtë sezon dhe duke i shkaktuar skuadrës nga Indianapolis disfatën e 19-të. Në praninë e 18 689 të spektatorëve, mes tyre edhe shumë yje të futbollit si treshja gjermane Ballack-Ozil-Mertesacaker, Thierry Henry apo edhe Alexis Sanchez e Delle Ali, ishte skuadra nga Colorado që zhvilloi një ndeshje në kufijtë e perfektes. Serbi Jokic me 22 pikë, 7 asiste dhe 10 rebound ishte më i miri mbi parket për Denverin, por pa harruar këtu Wilson Chandler që shtoi 21 pikë dhe italianin Danilo Gallinari që realizoi 18 pikë.

Por mbrëmja e Nba ishte e pasur edhe me ndeshje të tjera që u luajtën përtej oqeanit. Në Texas, San Antonio Spurs shpartalloi Los Angeles Lakers me shifrat e thella 134-94, duke pakësuar shanset e skuadrës kaliforniane për të siguruar një vend në fazën play-off. Ishte një sukses i arritur nën shenjën e të përhershmit Kawhi Leonard i cili realizoi 31 pikë.

Një fitore të thjeshtë arriti edhe Golden State Warriors. Në Oracle Arena skuadra nga Oakland dominoi me rezultatin 127-107 Detroit Pistons në një ndeshje që kishte vetëm një drejtim. Për të regjistruar fitoren e 3-t rradhazi skuadra e trajnerit Steve Kerr u mbështet fuqishëm te loja e tre yjeve të saj, Kevin Durant, Stephen Curry dhe Klay Thompson që realizuan mbi 20 pikë secili.

Në Madison Square Garden, Carmelo Anthony me 23 pikë 6 asiste dhe 9 rebound ishte heroi i New York Knicks me skuadrën nga Molla e Madhe që mposhti pa shumë vështirësi Chicago Bulls 104-89. Pa Jimmy Butler të dëmtuar miqtë ishin të pafuqishëm për ti bërë ballë Nicks-ave. 22 pikët e Dwayne Wade ishin të pamjaftueshme për Chicagon që të evitonte humbjen ndërsa në krahun duhet vlerësuar paraqitja e lituanezit Kuzminskas që shënoi 19 pikë.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat