Nixha: Ne nuk kemi problem, Vëllaznimit i kërcënohet mbijetesa

Basketboll

Nixha: Ne nuk kemi problem, Vëllaznimit i kërcënohet mbijetesa

Nga: Kemajl Goca Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 19:04
Jeton Nixha

Në Superligën e Kosovës në basketboll pothuajse është e qartë se cilat skuadrat do të jenë në katër vendet e para, por dilema është te ato që luftojnë për mbijetesë. Debutuesi Rahoveci është më i qetë, pasi që aktualisht janë në vend të gjashtë me 20 pikë, po ka dy takime me pak dhe dy pikë më shumë se pozita e shtatë Vëllaznimi dhe 4 se i fundit Kerasan Prishtina. Trajneri i Rahovecit, Jeton Nixha, tha se ka qenë një eksperiencë e re për ekipin e tij. “Prej fillimit të kampionatit jemi dakorduar që sivjet për shumë arsye, në rend të parë për shkak të infrastrukturës të jemi të matur në investimet tona. Arsyeja e dyte është se tani marrim pjesë në një ligë e cila për ekipin tonë është hera e parë pas shumë kohësh dhe një eksperiencë e re që nevojitet kohë të formohen të gjitha strukturat organizative, që klubi të ketë sa më lehtë pjesëmarrjen në ligë si dhe fillimi i punës me intensive me gjenerata të reja”, tha Nixha për gazetën kombëtare “Bota sot”. A mendoni se Rahoveci pa telashe do të sigurojë mbijetesën në Ligë, por në fakt a ndjeni presionin nga Vëllaznimi? “Që në fillim nuk kemi dashtë të jemi ekip me qëndrueshmëri në këtë ligë, dalëngadalë të formohemi. Nuk mendoj që Vëllaznimi ka kualitet dhe strukturë organizative që të bëjë diçka. Atyre iu kërcënohet mbijetesa, se mendoj që Kerasan ka ekip më të mirë momentalisht, por është çështje e këtyre ekipeve. Ne nuk kemi problem dhe jemi duke menduar që sivjet së paku ta shijojmë një fitore me kundërshtarë me të fortë se këto dy ekipe që i kemi mund nga tri herë”, theksoi Nixha. Ai më tutje thotë se në Rahovec ka mjaft talent të lojës së basketbollit: “Si në çdo pjesë të Kosovës edhe në Rahovec ka talent, por duhet shumë punë me gjenerata shumë të reja. Ne ia kemi arritur qëllimit që së paku të flitet për basketboll nga djemtë dhe vajzat që jetojnë në Rahovec”. Nixha është optimist se Rahoveci do të jetë edhe më i fortë nga edicioni i ardhshëm. “Mendoj që me kohe klubi do të vendos synimet e saja”, tha Nixha. Rahoveci përgatitet për takimin e fundjavës, ku do të ndeshen me klubin therandas, Golden Eagle Yllin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat