Premtojnë spektakël basketbolli

Basketboll

Premtojnë spektakël basketbolli

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 18:13
Pamje nga konferenca

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) së bashku me KB Trepçën nga Mitrovica (kjo e fundit organizatorë), kanë shpalosur detajet e Turneut Final të Kupës së Kosovës. U.d. sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe drejtori gjeneral i KB Trepça, Besim Braha, premtojnë se do të jetë një spektakël ashtu si i ka hije këtij sporti. Turneu Final i Kupës do të zhvillohet më 17 dhe 19 shkurt në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Të premten e ardhshme në gjysmëfinalen e parë, e cila do të zhvillohet me fillim në orën 16.30 do të përballen KB Bashkimi– Peja, kurse ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet në orën 19.30, ku do të ndeshen Trepça-Sigal Prishtina.

Ndërkaq finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 16.30 dhe 19.30. Në finalen e femrave do të ballafaqohen Penza nga Peja dhe Penti Prishtina. Elvira Dushku tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet: “Ne si federatë i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ngjarje, e cila për ne është ndër më të rëndësishmet për këtë vit. Kupa e Kosovës po organizohet për herë të parë në Mitrovicë që nga viti 2010 dhe ne besojmë se Trepça do t’i kryej të gjitha obligimet që i ka në bazë të kontratës dhe do të organizoj këtë ngjarje, e cila besojmë se do të jetë madhështore. Po ashtu ne jemi të bindur se për këto dy ditë do të kemi rastin të shohim basketboll cilësor, i cili do t’i kënaq të gjithë adhuruesit e basketbollit që do të jenë të pranishëm në palestër. Po ashtu dua të bëjmë të ditur se më 19 shkurt po në Mitrovicë do të mbahet Kuvendi i Punës i FBK-së, ku krerët më të lartë të federatës do të raportojnë para delegatëve të Kuvendit për punën e bërë gjatë vitit 2016”.

Braha tha se ekipi i tyre gjithmonë është shquar me organizime: “Klubi Trepça tashmë është dëshmuar për organizime të ngjarjeve të mëdha dhe rasti më i mirë është ai i bashkëpunimit me FBK-në për organizimin e kualifikimeve të kombëtares A të Kosovës për në Eurobasket 2017. Ne premtojmë se do të kujdesemi maksimalisht që gjithçka të shkoj ashtu siç duhet sa i përket organizimit të Turneut Final të Kupës së Kosovës”. Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin 2015/16 janë Sigal Prishtina te meshkujt dhe Penza te femrat. Braha ka thënë se: "Në Turneun Final do të jenë të pranishëm të gjithë tifozët e ekipeve pjesëmarrëse, të cilëve ju bëjë edhe thirrje për qasje sa më pozitive, pasi ky do të jetë një tjetër test për ne si klub, por edhe për federatën në përgjithësi. Policia është deklaruar e gatshme për të na ndihmuar në këtë aktivitet dhe ajo do të jetë vazhdimisht në përcjellje të klubeve, tifozëve dhe zyrtarëve të tjerë të pranishëm në palestër".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat