A ishin të kënaqur me klinikën?

Basketboll

A ishin të kënaqur me klinikën?

Më: 27 shkurt 2017 Në ora: 11:29
Pamja nga klinika

Prej 23 deri më 26 shkurt në Gjakovë është mbajtur Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencialë për Thirrje të FIBA-s.

Organizatore e këtij eventi ka qenë Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe FIBA.

Në këtë Klinikë kanë marr pjesë 6 gjyqtarë kandidatë nga Kosova, dy nga Maqedonia dhe dy nga Bosnja e Hercegovina, kurse Klinikën e kanë udhëhequr instruktorët nga FIBA, Dragan Medan dhe Gjorgji Piperkov.

Klinika ka qenë e ndarë në tri pjesë: testime, teori dhe praktikë. Pra përveç testimeve e ligjeratave, gjyqtarët kandidatë e kanë ndarë drejtësinë edhe në disa ndeshje që janë organizuar enkas për këtë aktivitet, por edhe në dy ndeshje të xhiros së XIX në Superligën e Kosovës, raporton FBK. Dragan Medan, tha: “Gjatë këtyre tre ditëve e kemi bërë një punë shumë të mirë që të gjithë. Kemi pasur rastin të shikojmë pjesë të ndeshjeve, të diskutojmë, të shohim çfarë mund të bëhet edhe më mirë në të ardhmen. Ndeshjet në të cilat e kanë ndarë drejtësinë këta gjyqtarë, po ashtu kanë qenë disa prej tyre të forta dhe këta gjyqtarë kanë qenë në nivelin e duhur, që është për t’u lavdëruar. Por ne nuk mund të kënaqemi me kaq, pasi duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë në mënyrë që në të ardhmen, ku disa prej jush ta shohin veten në një të ardhme të afërt si gjyqtarë të FIBA-s. Në të njëjtën kohë dua ta falenderoj Federatën e Basketbollit të Kosovës për një organizim të shkëlqyeshëm të këtij aktiviteti, pikë kjo që nuk do të mungoj në raportin tim për në FIBA”.

Gjorgji Piperkov, ka thënë: “Kjo është hera e dytë që një Klinikë e tillë organizohet në Kosovë dhe nuk është aspak rastësi pse FIBA ka vendosur kështu. Punën që është duke e bërë FBK me në krye Erolld Belegun, pastaj u.d. sekretaren e përgjithshme, Elvira Dushkun dhe me Faton Kurshumlijën, Instruktor Nacional dhe punëtor i palodhshëm dhe i pashoq është për t’u lavdëruar. Të gjitha këto elemente bënë që Klinika të jetë e suksesshme dhe që këta gjyqtarë dhe që të gjithë ne ti kemi në dispozicion të gjitha kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të duhur të këtij aktiviteti. Unë uroj që Kosova shumë shpejt të ketë gjyqtarë të saj në FIBA dhe me punën që është duke e bërë nuk është rastësi që kjo të ndodh gjatë kësaj vere. Raporti im për në FIBA do të jetë pozitiv për gjithë atë që kemi bërë gjatë këtyre tre ditëve në Gjakovë”. Edhe Instruktori Nacional i FBK-së, Faton Kurshumlija është shprehur i kënaqur me punën e bërë, por edhe bashkëpunimin në këtë Klinikë. Ai ka theksuar se gjatë këtyre tre ditëve gjyqtarët pjesëmarrës në Klinikë janë treguar shumë kooperues me njëri-tjetrin, kanë punuar në grupe, dhe të njëjtën gjë e kanë bërë edhe në fushë gjatë ndarjes së drejtësisë, andaj edhe në të gjitha ndeshjet ku ata qenë pjesë e tyre nuk ka pasur asnjë vërejtje drejtuar gjyqtarëve. Kurshumlija ka thënë se është i inkurajuar që të vazhdoj të punoj me ritëm edhe më të theksuar me gjyqtarët në mënyrë që në të ardhmen të arrijmë qëllimin tonë, e ai është delegimi i gjyqtarëve nga Kosova në gara zyrtare të FIBA-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat