Nba, shkëlqejnë Spurs dhe Warriors, humbet Cleveland

Basketboll

Nba, shkëlqejnë Spurs dhe Warriors, humbet Cleveland

Më: 7 mars 2017 Në ora: 10:49
San Antonio Spurs

Është San Antonio Spurs, skuadra e momentit në Nba. 8 fitore rradhazi, për formacionin e Gregg Popovich që triumfoi edhe në derbin teksan përballë Houston Rockets duke siguruar edhe matematikisht kualifikimin në play-off. Ishte një sukses i merituar ai i San Antonios që erdhi nën shenjën e të përhershmit Kawhi Leonard. Në AT&T Center të Texas-it, Spurs-at rikuperuan një disavantazh prej 14 pikësh të periodës së tretë duke fituar në fund me rezultatin e ngushtë 112-110. Me 39 pikë 6 rebound dhe 5 asist, Kawhi Leonard ishte heroi i padiskutueshëm i San Antonios, ndërkohë që në krahun tjetër James Harden u kundërpërgjigj me 39 pikë, 12 asist dhe 3 rebound, të pamjaftueshme gjithsesi për të evituar humbjen e Houston-it.

Miami Heat papritur është kthyer në macen e zezë të Cleveland Cavaliers. Tjetër humbje për kampionët në fuqi të Nba e dyta rradhazi dhe përsëri, Cleveland ra përballë Miami-it, këtë herë brenda në Ohio me shifrat 106-98.As rikthimet e Lebron James dhe Kyrie Irving nuk ndihmuan skuadrën e trajnerit Tyron Lue për të rigjetur rrugën e fitores. Mbreti James shënoi 30 pikë ndërsa Irving me 32 pikë rezultoi pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes por në krahun tjetër, Miami iu falë 21 pikëve të sllovenit Goran Dragic dhe paraqitjes së shkëlqyer të Dion Waiters, autori i 29 pikëve. I pafat australiani Andrew Bogut. I transferuar te Cleveland në këtë merkato ky i fundit pësoi një dëmtim të rëndë në debutimin e tij kur kishte vetëm 2 minuta që kishte hyrë në lojë.

Një fitore me shumë peshë regjistroi edhe Golden State Warriors që kaloi në transfertë, Atlanta Hawks me rezultatin 119-111, duke i shkaktuar humbjen e 3-t rradhazi skuadrës nga Georgia. Meritat shkojnë të gjitha për Stephen Curry dhe Andre Igouadala-n. Me nga 24 pikë secili Curry ishte frymëzuesi i lojës sulmuese te skuadra e trajnerit Steve Kerr, ndërsa Igoudala zëvendësoi në mënyrën më të mirë të dëmtuar-in, Kevin Durant.

Nuk po kalon një moment të mirë Boston Celtics. Skuadra më e titulluar e Nba, pësoi një tjetër humbje pasi u mposht me rezultatin 116-102 nga Los Angeles Clippers. Në Staples Center, kalifornianët u mbështetën te loja e mirë e dyshes Blake Griffin-Chris Paul autorë të 49 pikëve të dysëbashku ndërkohë që te Celtics nuk mjaftuan 32 pikët e realizuara nga Isaiah Thomas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat