Humbet Cavaliers, “ok” San Antonio

Basketboll

Humbet Cavaliers, “ok” San Antonio

Më: 26 mars 2017 Në ora: 13:16
NBA

Vijojnë ulje-ngritjet për Cleveland Cavaliers. Kampionët në fuqi të Nba pësuan një tjetër disfatë këtë herë nga Washington Wizards brenda në Quicken Loans Arena. Skuadra kryeqytetase iu fal lojës fantastike të John Wall autori i një super paraqitjeje, teksa realizoi 37 pikë 11 asist dhe 4 rebound. 127-115 ishin shifrat e kësaj sfide në favor të Washington-it, me Cleveland-in që pësoi humbjen e 25-të sezonale. Edhe pse të kualifikuar zyrtarisht në play-off, Cavaliers tashmë rrezikojnë seriozisht të humbasin vendin e parë në Konferencën e Lindjes pasi si Boston Celtics ashtu edhe Washington Wizards janë afruar ndjeshëm. Te miqtë nuk spikati vetëm John Wall pasi edhe Bradley Beal bëri një paraqitje pozitive duke realizuar 27 pikë. Në krahun tjetër më i miri për Cleveland-in, ishte mbreti James. Lebron ishte autori i 24 pikëve, 8 asisteve dhe 11 rebound-eve, ndërsa Kyrie Irving u ndal në kuotën e 23 pikëve.

Fitore edhe për San Antonio Spurs, e 4-ta radhazi me skuadrën teksane që falë suksesit 106-98 ndaj New York Knicks, mbajti gjallë shpresat për të kapur vendin e parë në Perëndim në fund të sezonit të rregullt. Më i miri mbi parket për San Antonion ishte i përhershmi, Kawhi Leonard i cili koleksionoi në total 29 pikë, 5 rebound dhe 5 asiste.

Skuadra e momentit në Nba është padiskutim Toronto Raptors. Formacioni nga Kanadaja regjistroi fitoren e 5-t radhazi pasi mposhti brenda në Texas, Dallas Mavericks me shifrat 94-86. Falë një pjese të parë shumë të mirë në përfundim të së cilës kryesonte me 10 pikë avantazh, Toronto mori një fitore me shumë vlera, ndërkohë që për Dallas-in kualifikimi në play-off  pas kësaj humbjeje ngjason me një mision të pamundur. 23 pikët e realizuara nga Barnes nuk i mjaftuan skuadrës vendase, ndërsa në krahun tjetër më i miri për Raptors ishte DeMar DeRozan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat